Ndërlidhjet

Nuhiu: Në Kosovë ka financim të radikalizmit që shpie në terrorizëm


ILUSTRIM
ILUSTRIM

“Është një numër shumë i vogël i rasteve që kanë të bëjnë direkt me financim të terrorizmit, por më shumë është i pranishëm financimi në radikalizëm që mund të shpie në terrorizëm. Financime të tilla vijnë si brenda territorit të Kosovës ashtu edhe jashtë saj”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dardan Nuhiu, drejtor i Njësisë për Inteligjencën Financiare në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Nuhiu, së fundi, Qeveria miratoi Projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit. Sa ju ndihmon ky ligj në përmbushjen e detyrës suaj?

Dardan Nuhiu: Më anë të këtij projektligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit është bërë sistematizimi i dispozitave ligjore në fuqi, harmonizimi i mëtejmë i legjislacionit me standarde ndërkombëtare dhe evitimi i pengesave në zbatimin e legjislacionit më qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe përmbushjes së detyrave në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizimit.

Në këtë projektligj, janë inkorporuar dhe sqaruar dispozitat ligjore lidhur me parandalimin dhe vlerësimin e rrezikut si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë sektorial. Janë sqaruar po ashtu kompetencat e Njësisë për Inteligjencën Financiare në Kosovë, është definuar funksionimi i pajtueshmërisë për parandalimin e pastrimit të parave në kuadër të subjekteve raportuese si dhe procedurat e ndëshkimit.

Projektligji është hartuar bazuar në standardet e Task Forcës për veprim financiar si dhe duke marrë parasysh dhe reflektuar edhe në direktivën e re të Bashkimit Evropian 2015/849 e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.

Ky projektligj do të shërbejë edhe për përmbushjen e objektivit të Qeverisë së Kosovës në procesin për integrime evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Luftimi i burimeve të financimit të terrorizimit, mendohet të jetë një nga çështjet thelbësore në rrafshin e sigurimit të paqes për një shoqëri demokratike. Sa është e pranishme kjo dukuri e financimit të grupeve të dyshuara për terrorizëm në Kosovë?

Dardan Nuhiu: Në Kosovë, dukuria e financimit të terrorizimit është më pak e pranishme, por kjo dukuri më shumë është e pranishme si financim i radikalizmit i cili më pas mund të shpie në terrorizëm. Njësia për Inteligjencën Financiare bashkëpunon me institucionet kompetente për zbatimin e ligjit në baza ditore në kuadër të kompetencave të tyre me qëllim të parandalimit dhe luftimit të financimit potencial të terrorzimit.

Në momentin e të cilave dyshohet për financim të terrorizimit apo fenomenet të lidhur më këtë dukuri përgatit raportet e inteligjencës të cilat më tutje i përcjellë tek organet kompetente për procedim të mëtutjeshëm.

Radio Evropa e Lirë: Çka nënkupton për ju një financim i dyshimtë, që eventualisht mund të shpie deri te hetimet që i zhvilloni?

Dardan Nuhiu: Informacionet për financim të dyshimtë zakonisht vinë nga subjektet raportuese. Në raste të caktuara vijnë për organizata të ndryshme joqeveritare.

Hapat e mëtutjeshëm i ndërmarrim duke bërë inspektimin në ato OJQ dhe gjatë kontrollit dhe inspektimit shihen fonde që nuk e kanë prejardhjen ose ato OJQ nuk e caktojnë se ku do të shpenzohen paratë. Ajo shumë e cila nuk ka prejardhje apo nuk caktohet shpenzimi i tyre, për neve llogaritet si fonde të dyshimta dhe më pas i përcjellim në Policinë e Kosovës për hetime.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të të dhënave që disponon Njësia e Inteligjencës Financiare që ju drejtoni, sa ka indikacione të sakta se këtu në Kosovë ka financimin të terrorizimit apo aktiviteteve terroriste?

Dardan Nuhiu: Është një numër shumë i vogël i rasteve që kanë të bëjnë direkt me financim të terrorizmit, mirëpo më shumë është i pranishëm financimi në radikalizëm që mund të shpie në terrorizim.

Radio Evropa e Lirë: Keni zbuluar deri më tani aktivitete të tilla në Kosovë?

Dardan Nuhiu: Po kemi pasur raste të tilla. Të gjitha këto raste janë përcjellë në Policinë e Kosovës dhe në Drejtorinë kundër Terrorizimit.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur raste të shumta?

Dardan Nuhiu: Këtu rastet tona janë raporte informuese që e kanë dyshimin bazë. Raportet tona i përcjellim tek organet kompetente, ato pastaj hapin rast dhe zhvillojnë hetimet e mëtutjeshme.

Në bazë të raporteve kthyese që i kemi prej Policisë së Kosovës janë disa raste që janë ngritur kallëzim penal për individ apo subjekte të ndryshme, por nuk mund të them një numër total të këtyre rasteve.

Radio Evropa e Lirë: Nga cilat vende vijnë financime të tilla apo janë brenda territorit të Kosovës?

Dardan Nuhiu: Ka edhe brenda territorit të Kosovës, por ka edhe prej vendeve tjera.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë ato shtete?

Dardan Nuhiu: Nuk mund të ceken për arsye se një pjesë e këtyre rasteve janë nën hetim dhe për këtë arsye nuk mund të japim emrat e shteteve prej nga vijnë këto financa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG