Ndërlidhjet

Pa konsensus nacional nuk ka integrime evropiane


Tryeza e diskutimit me temën “Si ta shndërrojmë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) në një proces për reforma thelbësore në Republikën e Kosovës” të cilën e kanë organizuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si dhe Instituti për Studime Politike i Prishtinës, ka bërë që drejtuesit e institucioneve të larta dhe përfaqësuesit e partive opozitare, pas muajve të tërë, të ulen në një tavolinë.

Samuel Zhbogar, përfaqësues special i Bashkimit Evropian në Kosovë, i ka bërë thirrje gjithë spektrit politik për bashkëpunim në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai ka theksuar se e ardhmja evropiane e Kosovës fillon pikërisht me MSA-në, e cila sipas tij, do ta avancojë pozitën e Kosovës në tregun ndërkombëtar.

Zhbogar ka theksuar se sa më shumë që Kosova e zbaton këtë marrëveshje, për aq ajo do të jetë më afër standardeve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja është testament që anëtarët e Bashkimit Evropian dhe vet Bashkimi Evropian kujdesen për Kosovën dhe që nuk ka dyshime në zotimin tonë për Kosovën dhe avancimin e saj. Zbatimi i MSA-së kërkon mbështetje nga i gjithë spektri politik dhe nga shoqëria civile, sid he aktorët tjerë që luajnë rol në mbikëqyrjen e këtij procesi”, ka theksuar Zhbogar.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se MSA është dokumenti më i rëndësishëm i nënshkruar që nga nënshkrimi i pavarësisë së vendit.

“Por, marrëveshja nënkupton edhe angazhimin e gjithë spektrit politik kosovar, Parlamentit të Kosovës, Qeverisë së Republikës së Kosovës, institucioneve të drejtësisë, partive politike, shoqërisë civile, bizneseve dhe shoqatave të tyre, si dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Për realizimin e MSA-së na nevojitet një energji e përbashkët, sepse objekti dhe përcaktimi i ynë është përcaktim i përbashkët proevropian”.

Ai ka theksuar se përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e kësaj marrëveshje është i madh dhe bërë thirrje për unitet, për shkak se, siç ka thënë ai, në këtë mënyrë arritjet mund të jenë më të mëdha.

Në anën tjetër, kryetari i subjektit opozitar Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri, deputete në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar diskursin politik në Kosovë që ndërlidhet me rrugën e Kosovës për në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Kosova nuk ka perspektivë evropiane derisa sa atë nuk do ta njohin pesë anëtaret e Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur. Siç ka thënë ai, rruga e Kosovës për në BE është e lidhur ngushtë me zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë, që nënkupton se BE-ja po e trajton Kosovën si entitet dhe jo si një shtet të pavarur.

“Kemi dëgjuar disa herë të thonë, përfaqësuesit institucional të kësaj qeverie dhe të qeverive të kaluara, që BE-ja nuk ka alternativë dhe se BE-ja do të jetë shpëtimi ynë. Kjo nënkupton se me aderimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, atëherë të gjitha problemet që ne i kemi këtu, do të rregullohen".

"Pra, në këtë drejtim, BE-ja më shumë e merr karakterin e një parajse. Kështu, parajsa na premtohet pas aderimit në BE dhe që në njëfarë mënyre i suspendon plotësisht detyra, përgjegjësitë tona që i kemi karshi ngritjes së cilësisë së jetesës në republikën tonë dhe për qytetarët e Republikës”.

Ardian Gjini, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se problemi kryesor në Kosovë është humbja e besimit ndërmjet partive politike, ndërmjet institucioneve, si dhe humbja e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve. Sipas tij, ndërtimi i besimit, duhet të jetë prioritet.

“Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është i pamjaftueshëm për ta nxjerrë Kosovën nga kriza politike, posaçërisht meqenëse e ka një shpejtësi kështu si e ka. Për Aleancën, procesi i integrimit është jetik dhe Kosova kurrsesi nuk guxon ta humbë shpresën se një ditë do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian".

"Por, në të njëjtën kohë, nuk guxojmë të mos themi se në momente të caktuara ky proces po shndërrohet në konflikt ose po krijon logjika konfliktuoze. Kosova ose duhet të provoj që të zhvillohet më shpejt, në mënyrë që të integrohet më shpejtë në BE ose duhet ta gjejë një rrugë të integrimit më të shpejtë e që pastaj eventualisht të zhvillohet , sikurse që ka ndodhur me disa vende të Ballkanit. Në këtë fazë, nuk po ndodhë asnjëra”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka shprehur mendimin se Kosovës i nevojitet dialogu i brendshëm, nga i cili varen mjaft çështje brenda vendit.

“Agjenda jonë evropiane është një prioritet nacional. Fatmirësisht, për këtë çështje kemi konsensus të përbashkët, pavarësisht nëse jemi pushtet apo opozitë. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë të gjithë përkrahjen, të cilën e kemi marrë gjatë gjithë këtij procesi nga partnerët tanë".

"Por, në të njëjtën kohë, nuk mundemi të mos kërkojmë, veçanërisht nga 5 shtetet, të cilat ende nuk e kanë njohur shtetin tim, Republikën e Kosovës, që të mos e bëjnë atë”.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim e nënshkruar nga Kosova dhe Bashkimi Evropian ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Marrëveshja për Stabilizim Asociim paraqet kornizën e marrëdhënieve të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, në këtë rast me Kosovën.

Kjo marrëveshje është e përshtatur me situatën specifike të secilit vend partner në Bashkimin Evropian, mbi vendosjen e tregtisë së lirë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, në këtë rast. Marrëveshja gjithashtu identifikon qëllimet e përbashkëta politike dhe ekonomike dhe nxit bashkëpunimin rajonal.

Në kontekstin e qasjes për në Bashkimin Evropian, kjo marrëveshje shërben si bazë për zbatimin e procesit të qasjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG