Ndërlidhjet

Kosova dhe Serbia merren vesh për letërnjoftime dhe ADR


Ilustrim
Ilustrim

Në Bruksel është arritur marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme ADR në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri.

Përmes një komunikate për medie, ministrja Tahiri ka theksuar se “me ketë marrëveshje, të dyja shtetet janë pajtuar për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, sipas konventës e OKB për certifikatat e ADR-së (certifikatat për vozitësit dhe certifikatat për automjete) dhe të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane për transportin e mallrave të rrezikshme”.

Kjo marrëveshje, siç thuhet në komunikatë, është në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për tregtinë e lirë të vitit 2011 dhe parimet e CEFTA-s.

Marrëveshja në fjalë hynë në fuqi nga data 25 prill 2016 si dhe zbatimi i saj është i garantuar nga Bashkimi Evropian si ndërmjetëse e dialogut të Brukselit.

Në takimin e dy delegacioneve, të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, ministrja Tahiri “ka ngritur shqetësimet në lidhje me fushatën elektorale provokative të zyrtarëve të Serbisë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë”.

“Në këtë kuadër me kërkesë të BE-së që palët të angazhohen për frymën e normalizimit dhe pas kërkim faljes nga ana e zotit Marko Gjuriq për hyrje ilegale në Kosovë, palët janë zotuar që të respektohet marrëveshja për vizitat reciproke të zyrtarëve si dhe deklarimet duhet në mënyrë rigoroze të respektojnë frymën e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve”, thuhet në komunikatën e ministres Tahiri.

Gjithashtu, në takimin në Bruksel është biseduar edhe për çështjen e “hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime ilegale të lëshuara nga strukturat paralele”, për të cilën tashmë ekziston masa e ndalesës që nga 18 prilli i këtij viti, me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

“BE-ja ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore tranzicioni në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt, ashtu siç u zgjodh edhe çështja e njohjes reciproke e certifikatave të ADR-së. U vendos që takimi i radhës të mbahet sa më parë”, thuhet në komunikatën e ministres Tahiri.

Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar për mediet serbe se pas 18 orë bisedimesh, Beogradi dhe Prishtina kanë arritur marrëveshje për letërnjoftimet, për kalimin e kamionëve, vizitat e autoriteteve të Serbisë, si dhe për zgjedhjet.

“Letërnjoftimet e Serbisë do të përdoren normalisht, ashtu sikurse edhe deri më tash. Do të thotë, nuk do të ketë bllokim apo çfarëdo lloj pengesash”, ka thënë Gjuriq.

Ai ka paralajmëruar se që nga e hëna, më 25 prill, përmes vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përsëri do të kalojnë kamionët që bartin materiale të rrezikshme.

Gjuriq ka shtuar se Brukseli ka anuluar edhe ndalesën e hyrjes së zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, si dhe është arritur pajtimi për mënyrën e votimit në zgjedhjet parlamentare të Serbisë më 24 prill.

“Është arritur marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve sipas modelit të njëjtë me vitin 2014, me praninë e OSBE-së, e cila do të garantojë që në vendvotime gjithçka të jetë në rregull, si dhe të ketë siguri”, ka thënë Gjuriq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG