Qeveria e Kosovës ka konfirmuar, të hënën në mesditë, se me kërkesën e Ambasadës amerikane në Kosovë dhe Bashkimit Evropian, është shtyrë zbatimi i vendimit për ndalimin e hyrjes në Kosovë të personave që kanë dokumente identiteti të lëshuara nga strukturat e Serbisë në Kosovë, deri në takimin e ardhshëm, të martën, në Bruksel.
Qytetarët serbë të veriut të Kosovës, kanë protestuar në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Jarinë, duke bllokuar me automjetet e tyre qarkullimin.
Përmes një komunikate me shkrim, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur ministrja për Dialog, Edita Tahiri, është ftuar nga Bashkimi Evropian në një takim urgjent në Bruksel, për të biseduar “në lidhje me çështjet urgjente në Dialogun e Brukselit”, dhe një nga temat do të jetë edhe “ndalimi i vazhdimit të lëshimit të letërnjoftimeve nga strukturat paralele për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë së Serbisë”.
Ministrja Tahiri, të premten ka deklaruar se që nga 18 prilli nuk do tu lejohet hyrja në Kosovë personave që kanë “karta identiteti jolegale, të cilat i kanë lëshuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë”.
Ajo pati theksuar se pas shumë përpjekjeve të bëra përgjatë dialogut në Bruksel që të ndërpritet përdorimi i mëtejshëm i dokumenteve të tilla, kjo nuk ka ndodhur edhe më tej.
Pas këtij paralajmërimi, banorët e veriut të Kosovë, të hënën në mëngjes, kanë bllokuar me automjetet e tyre vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinë.
Pas bllokimit të rrugës për rreth një orë,banorët serb të veriut të Kosovës, janë tërhequr nga Jarina, pasi që u është thënë se nga Prishtina zyrtare nuk ka arritur asnjë vendim zyrtar.
Dragan Jabllanoviq, kryetar i Komunës së Leposaviqit, duke folur për Radion Evropa e lirë, ka theksuar se gjatë mëngjesit të ditës së hënë, ka biseduar me zyrtarët e policisë së Kosovës, të cilët, siç ka thënë ai, ia kanë konfirmuar se nuk ka pasur asnjë urdhëresë zyrtare që të zbatohet çfarëdo mase.
“Qarkullimi i njerëzve dhe mallrave është i lirë dhe nuk ka nevojë për bllokim, sepse në këtë mënyrë e bllokojmë popullin tonë”, ka theksuar Jabllanoviq.
Ai ka shtuar se në rast e vjen deri te zbatimi i vendimit të autoriteteve të Kosovës, bllokimi do të zbatohet jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj mallrave.
“Për ta bllokuar vendkalimin, do të duhej një vendim i qeverisë së Kosovës. mendoj se në qeveri ka njerëz të kuptueshëm dhe se nuk do të vijë puna deri aty. Ne, katër kryetarët e komunave, kemi paralajmëruar se në rast se vjen deri te bllokada, atëherë edhe ne do ta bllokojmë tërësisht vendkalimin”, ka thënë Jabllanoviq.
Serbët e veriut të Kosovës konsiderojnë se vendimi i autoriteteve të vendit e rrezikon lirinë e lëvizjes së tyre. Një qytetarë serb nga veriu i Kosovës, thotë se shumica e qytetarëve serb nga kjo hapësirë, nuk kanë dokumente tjera përveç atyre serbe.
“Popullata është mjaft e brengosur dhe ajo është mbledhur spontanisht, në mënyrë që të shohim nëse do të mundet që me protesta të qeta ta zgjidhin këtë çështje në dobi të tyre. Me këtë, në masë të madhe është rrezikuar liria e jonë e lëvizjes. Shumica e popullatës sonë nuk ka dokumente të Kosovës dhe me këtë fakt liria e lëvizjes së tyre është e rrezikuar. Shpresoj që ky vendim të mos jetësohet dhe do të mund të lëvizim lirshëm drejt Serbisë qendrore”, tha qytetari serb.
Protestës së të hënës nga ana e serbëve të veriut, e cila u manifestua me bllokim të rrugës në Jarinë, i ishin bashkuar edhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, por edhe përfaqësuesit e strukturave paralele serbe në Kosovë.