Ndërlidhjet

Pranimi i diplomave në veri, mundësi për punësim


Ilustrim
Ilustrim

Studentët që kanë diplomuar në të ashtuquajturin “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e veriut”, në muajin maj të këtij viti, do të mund ta nisin procesin për pranimin e këtyre diplomave nga institucionet e Kosovës.

Për shkak të mospranimit të deritashëm të këtyre diplomave, mjaft serbë dhe boshnjakë e kanë humbur rastin që të punësohen në institucionet e Kosovës.

Për ta zgjidhur këtë çështje, Qeveria e Kosovës, në muajin shkurt e ka themeluar Komisionin për pranimin e diplomave, i cili do tu ofrojë shërbime vetëm për ata që kanë kryer studimet në universitetin me seli në Mitrovicë të veriut.

Ky komision do ta nisë punën në maj të këtij viti, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Ljubica Jankoviq, anëtare e Zyrës për çështje të komuniteteve pranë kryeministrisë së Kosovës.

Ajo ka theksuar se kompetentët për këtë çështje janë përpjekur që procesi i pranimit të diplomave të jetë i thjeshtë ndërkaq procesin do ta zbatojë Qendra evropiane për çështje të pakicave (ECMI).

Megjithatë, Jankoviq ka bërë me dije se pranimi i diplomave nuk do të bëhet edhe për studentët, të cilët i kanë marrë ato në periudhën prej vitit 1999 deri në vitin 2001.

“Sa i përket kësaj, situata është paksa specifike, për shkak se ky universitet, që nga viti 1999 e deri në vitin 2001, ka qenë i vendosur fizikisht në Serbi dhe për këtë fakt, ai nuk mund të futet në këtë proces. Është shumë e mundur që çështja e diplomave të arritura në atë periudhë, të rregullohet duke u bazuar nëmarrëveshjen dypalëshe( Kosovë- Serbi) për nostrifikim”, tha Jankoviq.

Në institucionet e Kosovës vazhdon të jetë në fuqi politika e ndalimit të punësimit me diplomat e arritura në Serbi dhe në universitetin me seli në Mitrovicë të veriut. Në anën tjetër, sipas Jankoviqit, Kushtetuta e Kosovës, ua garanton komuniteteve pakicë punësimin prej 10 për qind.

“Hapja e vendeve të reja të punës është ndaluar, por shpresoj që për vendet e punës ekzistuese do të ketë më shumë serbë që konkurrojnë. Dikush që e ka diplomën nga Serbia, nuk do të konkurrojë, për shkak se e dinë që ato diploma nuk pranohen. Ne po punojmë në mënyrë aktive që ta rrisim numrin e pjesëtarëve të komuniteteve në institucionet publike, në nivelin lokal dhe atë qendror”, theksoi Jankoviq.

Ajo shton se edhe në rast se ndonjë pjesëtarë i komuniteteve pakicë punësohet në institucionet publike, çështja e gjuhës është e patejkalueshme. Por, sipas saj, edhe në këtë drejtim ka pasur lëvizje pozitive, për shkak se ekzistojnë nisma për ta mësuar gjuhën e komunitetit shumicë në Kosovë, gjuhën shqipe, nga shërbyesit civil.

Në anën tjetër, Andrea Najvirtova nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), thotë se me nostrifikimin e diplomave, por edhe me nisjen e procesit për pranimin e diplomave të universitetit në Mitrovicë të veriut, mund të thuhet se ka nisur edhe zgjidhja e problemit të numrit të vogël të avokatëve në veri të Kosovës, të cilët kanë lejen nga Dhoma e Avokatëve të Kosovës.

“Dhoma e Avokatëve të Kosovës tashmë ka konfirmuar se do t’i pranojë këto vërtetime për njerëzit që do ta kalojnë provimin e drejtësisë. Ndërkaq, OSBE-ja po planifikon që të mbështesë një numër të caktuar të juristëve në marrjen e përvojës juridike, në mënyrë që t’i qasen provimit. Po ashtu, planifikojmë që në bashkëpunim me universitetin, ta mbështesim hapjen e Klinikës Juridike Universitare, e cila do tu ofronte shërbime juridike qytetarëve të veriut të Kosovës”, ka theksuar Najvirtova.

Angazhimi i Komisionit për pranimin e diplomave është me afat të kufizuar prej një viti. Nisur nga kjo, të gjithë ata që kanë studiuar dhe kanë marrë diplomat në të ashtuquajturin “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e veriut” dhe që kanë interesimin të punojnë në institucionet e Kosovës, duhet t’i dorëzojnë dokumentet e nevojshme te organet kompetente deri në fund të majit të vitit 2017.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG