Ndërlidhjet

Fillon zbatimi i MSA-së, tash sytë kah liberalizimi i vizave


Ilustrim
Ilustrim

Nga dita e premte ka hyrë në fuqi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit, si marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje, nga autoritetet e Kosovës po shihet si hapi i parë në kuadër të proceseve integruese evropiane.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar me këtë rast se nga kjo ditë Kosova po vë gurthemelin e bashkëpunimit me BE-në. Njëkohësisht, ai ka shprehur bindjen e tij se së shpejti do të filloj së zbatuari edhe procesi i liberalizimit të vizave.

“Pas përmbushjes së suksesshme të kritereve dhe rekomandimeve që janë kërkuar për liberalizimin e vizave, së shpejti këtij akti të rëndësishëm të fillimit të zbatimit të MSA-së do t’i bashkëngjitet edhe vendimi i BE-së me të cilin do të mundësohet lëvizja e lirë e bizneseve dhe e qytetarëve tanë në vendet e BE-së”, ka thënë Mustafa.

Komentet e tij, Mustafa i ka bërë gjatë një ceremonie të organizuar me rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit.

Aty, ka folur dhe drejtori i Doganave të Kosovës, Lulëzim Rafuna. Sipas tij, me këtë marrëveshje, Dogana e Kosovës kalon në një nivel më të lartë, duke qenë pjesë e bashkëpunimit me doganat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Me këtë marrëveshje përveç pjesës implementuese në aspektin fiskal dhe mbrojtës të prodhimeve vendore, dogana do të jetë edhe partner i bashkëpunimit administrativ me administratat e vendeve të Bashkimit Evropian ashtu siç e kërkon protokolli i katërt i MSA-së. Pra që nga sot, ne do të jemi në marrëveshje formale të bashkëpunimit administrativ me 28 administrata doganore të BE-së”, ka thënë Rafuna.

Për rolin dhe ndikimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit ka folur edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ai ka thënë me këtë rast se kjo marrëveshje ka një rëndësi shumëdimensionale si në aspektin politik, ekonomik dhe integrues.

“Sa ka rëndësi ekonomike, ka rëndësi politike. Sa ka rëndësi politike, ka rëndësi integruese. Por, besoj që një marrëveshje e tillë nuk do të jetë një shkop magjik për të zgjidhur problemet. Besoj që duhet angazhim, përkushtim dhe partneritet në komunikimin publiko – privat”, ka thënë Gërxhaliu.

Marrëveshja për Stabilizim -Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës është nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015.

Për të mbështetur reformat e nevojshme, BE-ja vë në dispozicion asistencën para pranimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në vlerë prej 11.7 miliardë euro gjatë periudhës 2014-2020, prej të cilave 645.5 milionë euro alokohen për Kosovën.

MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë që mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG