Ndërlidhjet

Janë tre persona që mund të ekstradohen në SHBA


FBI
FBI

Në Kosovë ka persona të cilët kërkohen në Byronë Federale të Hetimeve (FBI) në Uashington dhe të cilët dyshohet se mund të paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se deri më tash janë tre persona që jetojnë në Kosovë, e të cilët duhet të ekstradohen me hyrjen në fuqi të marrëveshjes për ekstradim.

Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të martën kanë nënshkruar marrëveshje për ekstradim. Marrëveshja, sipas presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, garanton që kriminelët do të vihen para drejtësisë.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, po ashtu nënshkrues i kësaj marrëveshjeje, e ka cilësuar atë si një ngjarje historike duke thënë se Kosova dhe SHBA-të zotohen se nuk do të bëhen strehë për kriminelët.

Në Ministrinë e Drejtësisë kanë shpjeguar se procedurat për ekstradim nisin me "arrestimin e personave të kërkuar dhe më pastaj dorëzohet kërkesa për ekstradim dhe e njëjta shqyrtohet nga organet gjyqësore lidhur me ekstradimin e personit apo jo".

Ismet Salihu, profesor i të Drejtës Penale ndërkombëtare, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se marrëveshjet për ekstradime dhe bashkëpunime juridike mes shteteve janë shumë të rëndësishme.

"Me ketë marrëveshje obligohen si Kosova ashtu edhe SHBA-të, që të bashkëpunojnë në këto çështjet penale, në mesin e tyre edhe të ekstradimit. Kështu që, në këso raste ka obligim Kosova që ta ekstradojë ndonjë person që ka kryer ndonjë vepër penale në SHBA. Pra t'u dorëzohet autoriteteve të atjeshme", ka thënë Salihu.

Profesor Salihu, ka shpjeguar se në Kushtetutën e Kosovës ka parime që shtetasit e Kosovës, nëse kanë kryerje ndonjë vepre penale në një shtet, nuk dorëzohen te autoritetet e atij shteti, por sipas tij, me marrëveshjet ndërkombëtare mund të ketë përjashtime.

"Në rastet kur një qytetar i Kosovës kërkohet nga SHBA-të, gjykata e trajton atë kërkesë dhe nëse i plotëson kushtet të njëjtën kërkesë ia delegon Ministrisë së Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë është organi shtetëror i cili vendos definitivisht a do të dorëzohet apo jo. Ky është një sistem i përzier administrativ i ekstradimit të një personi që ka kryer vepër penale në shtetin tjetër", ka shpjeguar Salihu.

Juristi Salihu konsideron se pa një bashkëpunim juridiko-penal ndërkombëtarë, është e pamundur të luftohet me efikasitet kriminaliteti.

"Këtu nuk është puna vetëm e bashkëpunimit midis shteteve, po në këto çështje penale ndërkombëtare bashkëpunojnë edhe policitë mes veti. Edhe pse Kosova nuk është e pranuar në Interpol dhe Europol, dhe përkundër faktit që Kosova nuk ka pasur marrëveshje të nënshkruar ndërkombëtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shtete të tjera, bashkëpunimi ka ekzistuar me marrëveshjet të veçanta", tha Salihu.

Marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe SHBA-së parasheh edhe ngritjen e aftësive profesionale të prokurorëve dhe gjykatësve për të qenë sa më efikas në ndjekjen dhe gjykimin e kriminelëve.

Juristi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se për hyrjen në fuqi të marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të kalojnë disa procedura sidomos në SHBA për të ardhur deri te fillimi i zbatimit i saj.

"Në bazë të praktikave me shtete të ndryshme që ka bërë Amerika, marrëveshje të tilla i marrin kohë senatit një vit deri sa ta jap pëlqimin dhe të vlerësojë a është në pajtim me ligjin e brendshëm. Në momentin që jepet pëlqimi atëherë presidenti i SHBA-së e ratifikon këtë marrëveshje dhe pastaj në momentin e ratifikimit dërgohet në Kosovë. Në momentin që bëhet shkëmbimi i këtyre shkresave, marrëveshja është në fuqi dhe mund të zbatohet në praktikë", tha Miftari.

Në Byronë Federale të Hetimeve (FBI) në Uashington, figurojnë emrat edhe të shqiptarëve të cilët janë në kërkim.

Byroja Federale të Hetimeve dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në muajin e kaluar kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që “ka për qëllim fuqizimin e bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve në fushën e forenzikës”.

Siç është thënë, me atë memorandum, Kosova do të përfitojë nga ekspertiza e SHBA-ve në luftimin e krimeve të rënda, përfshirë edhe terrorizmin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG