Ndërlidhjet

Kosova, problem në Kushtetutën e ardhshme të Serbisë


Beograd....
Beograd....

Vazhdimi i dialogut në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjithsesi që kësaj të fundit do t’ia imponojë edhe shqyrtimin e çështjes së definimit të Kosovës në kushtetutën e vet shtetit serb.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, qysh para vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pati paralajmëruar që ndryshimet kushtetuese do të vijojnë deri në fund të vitit 2017.

Por, mbetet pikëpyetje, se në qoftë se Vuçiq do të jetë përsëri kryeministër i vendit të tij dhe me shumicë parlamentare, a do të mundet ai që të nxitë ndryshimet në aktin më të lartë ligjor.

Milovan Dreçun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se është iluzion të priten ndryshimet kushtetuese, në kuptimin që Serbia, në çfarëdo forme, të heqë dorë nga territori i saj.

“Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën mund të kërkojë nxjerrjen eventuale, veçanërisht, të ligjit kushtetues, në mënyrë që marrëveshjet të përshtaten në rendin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Serbisë. Këtu, kryesisht, mendoj për Bashkësinë e komunave serbe, sepse ajo duhet të njihet në rendin tonë kushtetues, për shkak se Serbia duhet ta financojë".

"Por, ajo për të cilën disa spekulojnë dhe që dëshirojnë të na detyrojnë, që ta pranojmë, siç thonë, realitetin në Kosovë - të presësh diçka të tllë është iluzion. Pra, Serbia, për asnjë çmim, nuk do të heqë dorë nga Kosova, por Kushtetuta duhet të përshtatet, të përcjellë rrethanat shoqërore, të cilat ndryshojnë”, ka thënë Dreçun.

Vesna Rakiq Vodineliq, profesoreshë e të drejtës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kushtetutën e Serbisë ka shumë gjëra që duhet ndryshuar.

Por, ajo nuk beson që në Kuvendin e Serbisë do të kalonte “nxjerrja” e Kosovës nga kushtetuta serbe, për shkak se nuk mund të plotësohet kushti i votimit nga dy të tretat e deputetëve në këtë Kuvend.

Megjithatë, sipas saj, duhet të mendohet që pozita e Kosovës të rregullohet me preambulë në Kushtetutë, dhe si pjesë e saj, nuk do të ishte normativë që në mënyrë të detyrueshme duhet të zbatohet.

“Ajo që, sipas gjykimit tim, do të ishte më optimale -sepse asgjë tjetër nuk ka shans të kalojë me dy të tretat e votave - do të ishte një dispozitë që na përkujton në dispozitën e Grundgesetz-it, ligjit bazik të Gjermanisë perëndimore të dikurshme. Kjo dispozitë tregonte se Gjermania në atë kohë ishte e ndarë dhe se shtetasit e Gjermanisë lindore konsideroheshin në një mënyrë shtetas të Gjermanisë perëndimore dhe se ekzistonin disa shpresa dhe pritje për një bashkim në të ardhmen, gjë që edhe ndodhi".

"Ajo Kushtetutë gjermano-perëndimore, asnjëherë nuk ka shprehur pretendime territoriale dhe as që ka pasur tentime që ato të realizohen. Natyrisht që kontekstet historike janë krejtësisht të ndryshme, por ky është vetëm një shembull për pritjet, para së gjithash politike dhe emotive, të cilat, të themi se ‘mund të kalojnë’”, tha Rakiq Vodineliq.

Dushan Janjiq, kryesues i Forumit për Marrëdhënie Etnike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se mënyra e ndryshimeve kushtetuese, të cilën e kishte vendosur Slobodan Millosheviq, nuk ekziston askund në botë dhe ajo mënyrë ka mbetur deri më sot. Sipas tij, gati se është e pamundur të ndryshohet kushtetuta, prandaj duhet parë mundësitë tjera.

“Nëse ndiqet norma e Millosheviqit për mënyrën e ndryshimit të Kushtetutës, normë e cila ka mbetur edhe në Kushtetutën e Serbisë të vitit 2006, atëherë ekzistojnë vetëm dy mundësi: të shkohet në referendum ose që ajo të ndryshohet me një deklaratë për parimet kushtetuese. Ja një shembull i thjeshtë: si ka qenë e mundur që të sillet neutraliteti ushtarak me rezolutë të Kuvendit - për të cilin ka votuar edhe Vuçiqi - dhe të mos ndryshohet Kushtetuta?"

"Nëse kjo ka qenë e mundur për neutralitetin ushtarak, atëherë e njëjta, me një rezolutë ose deklaratë të Kuvendit, mund të bëhet edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe për afrimin me bashkimin evropian. Pra, teknika ligjore është shprehje e vullnetit politik”, ka theksuar Janjiq.

Sidoqoftë, Zyra e kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka hedhur poshtë mundësinë e heqjes së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë.

Në anën tjetër, përkujtojmë se kryeministri serb Vuçiq, në maj të vitit 2015, para vizitës së tij të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Wall Street Journal, kishte folur për ndryshimet kushtetuese, që përafrojnë Serbinë në integrimet evropiane, dhe pjesë e këtyre ndryshimeve do të mund të ishte edhe ndryshimi i pozitës së Kosovës në këtë Kushtetutë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG