Ndërlidhjet

Kosova me diplomaci pasive


Ilustrim
Ilustrim

Kosova po ngec në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare si pasojë e mosfunksionimit të duhur të institucioneve, thonë njohësit e çështjeve politike.

Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ajo që po shohim në diplomacinë është reflektim i politikës së brendshme. Sipas tij, derisa vendi ka një qeverisje të dobët nuk mund të ketë as diplomaci të duhur.

"Nuk mund të kemi këtë dallim kaq të mëdha që qeverisjen e brendshme ta kemi shumë keq ose shumë dobët në performancë, ndërkohë që përfaqësimin jashtë ta kemi shumë të lartë. Kjo nuk ka mundësi të ndodh. Pra, nëse e shohim ketë nivel që është nën çdo nivel, nuk mund të kemi nivele tjera në diplomacinë e Kosovës jashtë", thekson Zogaj.

Sipas Zogajt, ajo që është parë në punën e ambasadoreve është veç dërgimi e pranimi i telegrameve të urimeve e organizimeve teknike.

Ambasadorët pa përjashtim, thekson ai, nuk po arrijnë që të kryejnë misionin e tyre në përmirësimin e imazhit të Kosovës.

"Nuk kemi parë që bizneset e vendeve të zhvilluara të jenë më të interesuar për Kosovën, të vijnë në Kosovë dhe të investojnë. Nuk e kemi parë ketë gjë nga ambasadoret që kanë një lloj qasje".

"Ose nëse edhe vet nuk mund të bëjnë të paktën, t'i hapin rrugë ministrave, kryeministrit, presidentit e institucioneve të tjera që ketë gjë ta bëjnë. Nuk kemi parë që të ketë marrëveshje për arsim, shëndetësi. Nuk kemi parë gjëra që janë në mandatin e një ambasadori që t'i bëjë", thotë Zogaj.

Kurse, Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, njohës i zhvillimeve politike në Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se imazhi i Kosovës nuk është ai të cilin e dëshirojnë qytetaret e vendit. Në ketë drejtim, vijon ai, jo vetëm diplomacia, por as institucionet tjera të Kosovës nuk kanë bërë sa duhet.

"Në rend të parë Kosova duhet të punojë shumë më tepër për të krijuar një diplomaci shumë më aktive e profesionale e cila natyrisht në prioritet e ka avancimin e Kosovës në gjithë arenën ndërkombëtare, fuqizimin e këtij statusi dhe përmirësimin e imazhit i cili nuk është aty ku duhet dhe ku kemi pasur dëshirë që ta kemi", thotë Ujkani.

Po ashtu, tërhiqet vërejtja se emërimet politike, joprofesionale, mungesa e llogaridhënies janë disa nga çështjet me të cilat mund të përshkruhet diplomacia kosovare. Këso lloj emërimesh të ambasadorëve, sipas Ujkanit, kanë dëmtuar diplomacinë e Kosovës.

"Emërimi i ambasadorëve në baza partiake nuk është një shembull i mirë ose nuk është një kriter i mirë që është dashur të merret. Mirëpo, edhe nëse diçka e tillë behët ose është bërë, mendoj se partitë politike kanë njerëz të mjaftueshëm që edhe nga këto parti [personat] t'i dërgojnë në nivel të përfaqësimit të ambasadorëve", shprehet Ujkani .

Analistët konsiderojnë se Kosovës i duhet një politikë tjetër e zhvillimit dhe avancimit të saj, në shumë rrafshe; si në arenën ndërkombëtare, po ashtu edhe në atë të brendshme.

Kosovës, nuk ka arritur të sigurojë numrin prej 130 njohjesh, që do të mundësonte që çështja e pranimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të shtrohet në Këshillin e Sigurimit të kësaj organizate.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, thuhet se “Republika e Kosovës ka siguruar 111 njohje” dhe se “njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës do të mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG