Ndërlidhjet

Kosova rikujton sulmet ajrore të NATO-s, si ditë të shpresës


Në 17 vjetorin e nisjes së sulmeve ajrore të NATO-s mbi caqet serbe, Kuvendi i Kosovës u ka shprehur falënderime NATO-s dhe aleatëve për fushatën që solli deri te liria e Kosovës.

Njëherësh, është shprehur zotimi që sot, kur bota po kërcënohet nga terrorizmi, Kosova të rreshtohet në krah të vendeve demokratike – perëndimore dhe kundër ekstremizmave e terrorizmit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se 24 marsi është një ditë historike, kur NATO sulmoi caqet ushtarake serbe të cilat po kryenin masakra mbi popullin shqiptar.

“Shprehim falënderimet tonë më të sinqerta për NATO-n, e po ashtu në të njëjtën kohë duke pasur parasysh ngjarjet e fundit, shprehim solidarizimin tonë me vendet që po goditen nga sulmet terroriste”, ka thënë Veseli.

Kurse, presidenti i ri i zgjedhur i Kosovës Hashim Thaçi i cili me 7 prill pritet që zyrtarisht të marr detyrën e presidentit, në një postim në Facebook, ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë e policisë serbe 17 vjet me parë gjatë luftës në Kosovë.

"Ndërhyrja e NATO-s, 17 vite më parë, ishte një shpresë e re për popullin tonë, që po përjetonte terrorin shfarosës të regjimit të Millosheviqit", ka shkruar pos tjerash Thaçi në rrjetin social Facebook.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës Melihate Termkolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar në seancën e se enjtes që në përvjetorin tjetër të kësaj datë qeveria të përuroj një monomet në shenjë mirënjohje për NATO-n.

Ajo tha se është e habitshme se si edhe 17 vjet pas asaj ngjarje nuk ka një lapidar në shenjë falënderimi për kontributin e NATO-së.

"Nga sot Qeveria e Kosovës ta ketë parasysh një gjë të tillë dhe të ndëmarr të gjitha hapat e nevojshëm dhe të domosdoshëm që në vitin e ardhshëm në shënimin e përvjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, në çlirimin e Kosovës, ta kemi një memorial ta kemi një lapidar", tha Tërmkolli.

Për qytetarët e Kosovës, fillimi i intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe në vitit 1999, kishe kuptimin e fillimit të përfundimit të luftës në Kosovës dhe çlirimin nga Serbia.

Jetulla Krasniqi, profesor i historisë tha për Radion Evropa e Lirë, se fillimi dhe intervenimi i NATO-s mbi forcat policore serbe që po vrisnin shqiptaret ishte një befasi dhe njëkohësisht një kënaqësi.

"Ajo ka qenë fillim i çlirimit tone, sepse UÇK-ja ka sensibilizuar çlirimin por NATO me kuptohet me iniciativën e UÇK. edhe duhet me i falënderuar Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimin Evropian që kanë ndihmuar. Megjithatë, tash 17 vjet pas, ne jemi të zhgënjyer nga politika", tha Krasniqi.

Ndërkaq, një qytetar tjetër, Izet Krasniqi, thotë se në Tribunalin e Hagës ka dëshmuar për një masakër që ka ndodhur në fshatin Studime të Vushtrrisë, ku janë masakruar 109 persona. Ai rikujton ditën e fillimit të bombardimeve të NATO-s, kur kishte kuptuar se Kosova po çlirohej nga Serbia.

"Atë moment e kemi përjetuar si diçka humanitare. Kam qenë në fshat dhe ka qenë gjendje lufte. Ishin shpërngulur njerëzit dhe nuk e kam pasur gjithë familjen aty. Me ata që i kam pasur aty kam thënë: Millosheviq prit tash sulmet e NATO-s. Kemi qenë në disponim. Kemi qenë të lumtur sepse thoshim se po vijnë ditë të lumtura, pasi NATO- intervenoi”, thotë Krasniqi.

Ndryshe, sulmet filluan më 24 mars të vitit 1999, pak para orës 20:00, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana.

Bombardimet mbi caqet serbe në ish-Jugosllavi, nga aviacioni i NATO-s, shënuan fillimin e përfundimit të agonisë së shqiptarëve të Kosovës nën regjimin e Serbisë.

Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe e pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Pas bombardimeve u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.

Mbi 12 mijë të vrarë, 2 mijë persona të pagjetur dhe mbi 800 mijë persona të dëbuar nga Kosova, ishte bilanci në njerëz i luftës në Kosovë.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, ende qëndron në Kosovë dhe ndihmon në transformimin e mëtutjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG