Ndërlidhjet

Referendum për zgjedhjen e kryetarit, thellohen ndasitë në Partinë Socialiste


Përkrahësit e Partisë Socialiste në Shqipëri, duke festuar fitoren në zgjedhje, 25 qershor 2013
Përkrahësit e Partisë Socialiste në Shqipëri, duke festuar fitoren në zgjedhje, 25 qershor 2013

Nën një atmosferë tensioni e debati të ngarkuar politik, është zhvilluar Kongresi i Partisë Socialiste në Tiranë.

Pas rreth 12 orësh diskutimesh dhe përballjesh, delegatët kanë vendosur të votojnë më 9 prill, në një referendum ku do të përcaktohet nëse anëtarësia dëshiron të shkohet në zgjedhje për kryetarin e partisë.

Referendumi ishte një propozim i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që erdhi pas mendimeve kundërthënëse që ai dhe mbështetësit e tij patën me Ben Blushin dhe përkrahësit e këtij të fundit. Kundër referendumit votuan vetëm 6 delegatë.

Ben Blushi kërkonte zbatimin e statutit të vjetër, sipas të cilit kryetari i partisë zgjidhet çdo katër vjet. Edi Rama tha në fjalimin e tij në kongres se rizgjedhja e kryetarit ishte formalitet, pasi Partia Socialiste ishte e gatëshme të miratojë statutin e ri, mbështetur në modelin laburist britanik, ku kryetari i partisë automatikisht është kryeministër dhe qëndron në këtë pozicion për aq kohë sa është kreu i ekzekutivit. Me humbjen e zgjedhjeve rishikohet pozicioni i tij në krye të partisë.

Kjo përballje e ideshë ka çuar në fjalime të ashpra të dy protagonistëve. Blushi tha mes të tjerash:

”E vërteta këtu po mbytet. E drejta e secilit prej nesh po cënohet. Sensi i bashkësisë po dhunohet. Një pakicë po detyron një shumicë ta pranojë atë pa zgjedhje. Një pakicë po na dhunon. Një pakicë po kthehet në shumicë pa votim.”

Ndërsa kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, pasi iu referua kundërshtarëve si një pakicë, tha:

“Jashtë kësaj shtëpie (PS) ka plot forca me njerëz që presin me interes të madh çka do të ndodhë në këtë Kongres. Shumë urojnë që të na ndodhë ndonjë gjë ...! Por do të zhgënjehen. Nga ky Kongres do të dalim më të fortë dhe të karikuar, më të motivuar për të çuar reformat në drejtimin e duhur.”

Gjatë fjalës së tij, zoti Rama ka renditur arritjet e qeverisë së tij në tri vite.

Mbas debateve dhe replikave, u miratua në parim statuti i ri i Partisë Socialiste, kundër të cilit ishin vetëm 3 delegatë, dhe po ashtu u miratua dhe propozimi i kryetarit të PS-së për referendum.

Në këtë kongres morën pjesë dhe të ftuar, mes të cilëve nga Kosova ishin përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa nga Maqedonia përfaqësues të Partisë Demokratike Shqiptare.

Gjithsesi, duket se krisja e dukshme brenda Partisë Socialiste po forcohet, duke lënë sërish pezull të ardhmen e marrëdhënies mes kryetarit Rama dhe kundërshtarit Blushi, si dhe bashkëjetesën e të dyve në të njëjtën shtëpi politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG