Ndërlidhjet

Shqipëri: Debate në prag të Kongresit të Partisë Socialiste


Mbështetës të Partisë Socialiste
Mbështetës të Partisë Socialiste

Socialistët shqiptarë po e presin të paqartë Kongresin e partisë së tyre, që i nis punimet më 19 mars. As Asambleja, Forumi pararendës i Kongresit, nuk arriti t’i qartësojë idetë dhe dyshimet e tyre.

Thelbi i debatit, në të cilin është përfshirë PS-ja, është statuti i partisë.

Sipas statutit aktual, zgjedhjet për postin e kryetarit të partisë duhet të zhvillohen çdo katër vjet, ndërkohë që Edi Rama, kryetar i PS-së, e kryeministër i Shqipërisë, ka 7 vjet në këtë post.

Edi Rama dhe mbështetësit e tij e kanë justifikuar mungesën e zhvillimit të zgjedhjeve çdo katër vjet në parti, si një interpretim i statutit, sipas të cilit nënkuptohet që një kryetar partie që fiton zgjedhjet e shpallet kryeministër, nuk ka nevojë të rizgjidhet në krye të partisë.

Si shembull, ata sjellin modelin laburist britanik.

Por, rryma që dëshiron garën në parti, e drejtuar nga Ben Blushi (i cili është shpallur publikisht si sfidues i Edi Ramës për postin e kryetarit të partisë), kërkon që edhe kryetari Rama t’i nënshtrohet garës duke respektuar statutin.

Debatet verbale kanë kulmuar me mbledhjen e Asamblesë, nga e cila anëtarësia doli edhe më e paqartë, pasi në tryezë u hodhën katër opsione:

1. Statuti aktual

2. Implementimi i statutit laburist(ndonëse aplikimi i tij nuk ka bazë ligjore para-vepruese)

3. Referendum për zgjedhjen e kryetarit (propozim i kryetarit Rama)

4. Mocion mosbesimi për kryetarin (propozim i sekretarit të përgjithshëm)

Të gjitha mundësitë e mësipërme nuk kanë një interpretim të saktë juridik, përveç zbatimit të statutit aktual.

Diskutimet e Asamblesë, nxorën në pah pakënaqësitë e një pjese të anëtarësisë që dolën publikisht kundër mungesës së garës dhe anashkalimit të zbatimit të statutit.

Njëri prej tyre, Maqo Lakrori, deklaroi krijimin e të quajturës Lëvizja Demokratike në PS, e cila gjithsesi nuk shihet nga mbështetësit e saj, si nisja e një ndarjeje më të thellë në këtë parti.

Nuk është hera e parë që Ben Blushi e Edi Rama vihen përballë njëri - tjetrit. Përballja e tyre e parë ka qenë pas zgjedhjeve të vitit 2009, kur Ben Blushi dhe disa mbështetës të tij e kundërshtuan bojkotin e Parlamentit nga PS-ja (atë kohë në opozitë).

Pritet zhvillimi i Kongresit të 19 marsit, për të kuptuar se çfarë do të sjellë përplasja e radhës me Edi Ramës dhe Ben Blushit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG