Ndërlidhjet

Dyshime nëse komisioni i ri do qartësojë demarkacionin


Dy nga tre anëtarët e Komisionit ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e procesit të demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, Fletcher M. Burton dhe Herbert Wilmes, kanë arritur të enjten në Kosovë.

Kjo po ndodhë vetëm dy ditë pasi presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka nënshkruar vendimin për themelimin e këtij komisioni ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë, i cili është cilësuar si “komision vlerësues”.

Përkundër deklaratave të zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës se një komision i tillë do të përfshinte edhe ekspertë vendor, kjo nuk ka ndodhur.

Ekspertët e fushave që kanë të bëjnë me demarkacionin e kufijve, si dhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë vlerësime të ndryshme lidhur me fillimin e punës së këtij komisioni vlerësues.

Florim Isufi, profesor në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematike dhe të Natyrës, në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se një komision i tillë është dashur të përfshijë edhe ekspertë vendor.

“Është mirë që të jetë një kombinim, ndërkombëtar dhe vendor, por këta vendorët të jenë gjithëpërfshirës dhe të jenë ekspertë të lëmit të ngushë dhe jo ekspertë politik, që marrin vetëm vendime politike ose të tillë që kanë orientim politik në lidhje me bërjen e vijës kufitare në mes këtyre dy shteteve”.

Profesor Isufi ka shtuar se, në bazë të vlerësimeve profesionale, një komision që do ta rishikoj procesin dhe rezultatet e punës së Komisionit qeveritar për caktimin e vijës kufitare të Kosovës me Malin e Zi, është më se i nevojshëm.

“Zyrtarisht ne nuk e kemi parë, sepse nuk na e ka ofruar askush, nuk është publikuar. Por, jo zyrtarisht e kemi parë materialin dhe kemi parë se ka defekte në atë material. Duhet prej fillimit, prej zeros edhe një herë të fillojë”, ka theksuar profesor Isufi.

Në anën tjetër, subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, dy ditë më parë ka reaguar lidhur me themelimin e komisionit ad hok nga presidentja Jahjaga.

Ndër shumë vërejtje, të cilat i kanë parashtruar përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk do të kishin asgjë kundër “një komision i përzier për Demarkacionin”. Sipas tyre, “injorimi i ekspertëve vendorë duket i paarsyeshëm”.

Por, Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vlerëson se partitë opozitare duhet të jenë më fleksibile në këtë rast.

“Në këtë kontekst, unë besoj që rezultati i këtij komisioni, po që se mbetet në linjat e një raporti profesional, do të mund të ishte njëri nga çelësat e vegjël për ta adresuar një fragment të krizës politike në Kosovë dhe për ti dhënë fund debatit mbi demarkacionin me Malin e Zi".

"Nuk besoj që është me vend për partitë politike opozitare që apriori të refuzojnë nismën e presidentes së Republikës, përpara se të shohim se cili është mandati i këtij komisioni dhe cilat në fakt janë pyetjet që komisioni t’i përgjigjet presidentes”.

Sipas Dolit, janë dy argumente, për dhe kundër përbërjes së komisionit nga vetëm ekspertët ndërkombëtarë. Ai vlerëson se argumenti “për” është sepse ekspertët ndërkombëtarë gëzojnë më shumë pavarësi se sa ekspertët e brendshëm, në kontekstin politik që ekziston në Kosovë.

Por, sipas tij, legjitimimi i këtij procesi do të ishte shumë më i madh në rast se do të përfshihen edhe ekspertët vendorë në komisionin ad hoc.

“Nëse ekspertët e brendshëm do të ishin pjesë e kësaj tryeze, do të ofronin argumentet tjera teknike, për të cilat, ndoshta, ekspertët ndërkombëtarë, varësisht prej qasjes së tyre, do të mund të mos i përfshinin në rekomandimet e tyre apo në raportin e tyre përfundimtar. Kjo pastaj do të mund të prodhonte një raport, i cili nuk mbështetet dhe nuk pranohet si kredibil nga të gjitha palët”.

Ndryshe, presidentja Jahjaga, ka theksuar se tre ekspertët, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Britania e Madhe, do të bisedojnë me të gjithë akterët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi.

Puna e ekspertëve do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t'i dorëzohet presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës vendoset ky komision.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG