Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve T.I, I.Z dhe N.Z, për vepër penale, bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës. në tentativë.
Në njoftim thuhet se gjatë zhvillimit të hetimeve nga Prokuroria Speciale, është vërtetuar fakti se të pandehurit së pari janë marrë vesh që të takohen te Stacioni i autobusëve në Prishtinë, me qëllim që të udhëtojnë për në aeroportin e Shkupit në Maqedoni, e pastaj nga ai aeroport të fluturojnë në aeroportin e Stambollit në Turqi, për të udhëtuar për në Siri, për t’ iu bashkangjitur organizatës terroriste ISIS.
Të pandehurit, kur kanë arritur në aeroportin e Stambollit, janë ndaluar nga autoritet e Turqisë dhe pasi që kanë dyshuar se të njëjtit do të udhëtojnë për në Siri, i kanë kthyer prapa, përmes aeroportit të Shkupit, ku të njëjtit përmes pikës kufitare në Han të Elezit kanë hyrë në Kosovë, ku dhe janë ndaluar nga Policia e Kosovës.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën e kryer penale dhe të dënohen sipas ligjit.