Jahjaga uron Thaçin
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një postimi në Facebook, ka uruar Hashim Thaçin zgjedhjen në postin e presidentit të Republikës së Kosovës nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Festa e PDK-së
Mbështetësit e presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës dhe lider i Partisë Demokratike të Kosovës, kanë festuar në kryeqytet me fishkezjarre për disa minuta.
Gjatë protestës 12 policë kanë marrë lëndime
Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se kërkuar ndihmë emergjente mjekësorë 13 të lënduar prej tyre, 12 pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një gazetarë.
“Gjashtë prej policëve kanë pasur lëndime të ekstremiteteve të poshtme lëndime sipërfaqësore ndrydhje, pas trajtimit janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm. Ndërsa gjashtë pjesëtarë kanë kërkuar ndihmë si pasojë e gazit lotsjellës”, ka treguar Lenjani.
Sa i përket protestuesve, ka shtuar Lenjani nuk ka pasur të lënduar.
Opozita: Thaçi nuk mund të jetë president
Liderët e opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, përmes një konference për medie të mbajtur para pak minutash, kanë theksuar se Hashim Thaçi, i cili në seancën e të premtes të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur për president të ri të vendit, “nuk mund të jetë president i Republikës”.
“Në këtë proces të sotëm zgjedhor ka pasur shkelje flagrante të demokracisë”, ka thënë Visar Ymeri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje.