Të nderuar lexues,
Këtu po e përmbyllim këtë mbulim direkt nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, Hashim Thaçin.
Nën tensione politike, me gaz lotsjellës, përplasje të dhunshme në rrugë ndërmjet mbështetësve të opozitës dhe forcave të rendit, e premtja e 26 shkurtit 2016 në Prishtinë përfundoi me festë e fishekzjarre në rrugë, për presidentin e ri.
Zoti Thaçi arriti të sigurojë votat për t'u zgjedhur president në rrethin e tretë të votimeve në Kuvend.
Opozita ndërkaq, është zotuar se do të vazhdojë të protestojë, por nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar.