Jahjaga uron Thaçin
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një postimi në Facebook, ka uruar Hashim Thaçin zgjedhjen në postin e presidentit të Republikës së Kosovës nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Kush është Hashim Thaçi?
Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur atëbotë edhe me nofkën “Gjarpëri”, Hashim Thaçi, 47 vjeç, është zgjedhur të premten president i Republikës së Kosovës.
I lindur në komunën e Skënderajt në vitin 1968, zoti Thaçi në kohën e studimeve emigroi në Zvicër, ku edhe filloi veprimtarinë e tij politike.
Pas luftës në Kosovë, ai formoi Partinë Demokratike të Kosovës, parti kjo e cila rreth vetes mbledh numrin më të madh të ish pjesëtarëve të UÇK-së.
PDK-ja zgjedhjet e para të përgjithshme i fitoi më 17 nëntor të vitit 2007, pas të cilave zgjedhje, ai u zgjodh kryeministër i Kosovës.
Në vitin 2008, më 17 shkurt, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, ishte Hashim Thaçi ai që e lexoi deklaratën e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, gjatë mandatit të parë si kryeministër, por edhe të dytit si kryeministër, zoti Thaçi është përballur me kriticizëm për dështimet në luftën kundër korrupsionit, shkallën e lartë të varfërisë dhe papunësisë, por edhe për përpjekjet e qeverisë për të vënë kontroll mbi mediat vendore në Kosovë.
Zoti Thaçi u vu në qendër të mediave botërore në dhjetor të vitit 2010, në një raport të Këshillit të Evropës, mbi krimin e organizuar, e në të cilin thuhej se “kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi shqiptar të tipit mafia, përgjegjës për kontrabandimin e armëve, drogës dhe organeve njerëzore”.
Qeveria në Kosovë pati hedhur poshtë vendosmërisht akuzat dhe pati ofruar bashkëpunim të plotë me hetuesit.
Sidoqoftë, zoti Thaçi në postin e presidentit të Republikës vjen pas zonjës Atifete Jahjaga, mandati i së cilës si president e vendit i skadon më 7 prill, 2016.
Thaçi: Do të punoj në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës
Me të zgjedhur në postin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është zotuar se do të punojë në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
“Do të punoj në ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës Evropiane të anëtarësuar në Bashkimin Evropian e në NATO si dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Thaçi në fjalimin e tij para Kuvendit.
Ai është shprehur i gatshëm të punojë në vendosjen e dialogut politik në interes të vendit.
Me 71 vota për, Hashim Thaçi zgjidhet president i Kososvës
Hashim Thaçi është zgjedhur president i Republikës së Kosovës, pas rrethit të tretë të votimit në Kuvend. Në garën ndërmjet liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçit dhe bashkëpartiakut të tij Rafet Rama, Thaçi ka marrë 71 vota të deputetë. Ndërkohë që 10 vota ishin të pavlefshme.
Rrethi i tretë i votimit ishte i nevojshëm, pasi që në dy të parat, Thaçi nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave.