Pezullohen edhe 5 deputetë të tjerë
Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim të pezullojë nga punimet e sotme pesë ligjvënës nga radhët e opozitës, Albin Kurti, Visar Ymeri, Albulena Haxhiu, Mytaher Haskuka dhe Sali Salihu, "për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre, e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare".
Në bazë të një vendimi të mëhershëm, për ditën e sotme, të pezulluar janë edhe gjashtë deputetë të tjerë.
Gazi lotsjellës #2
Opozita ka hedhur gazin lotsjellës në seancë, kurse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, thirri pauzë, dhe mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me grupet parlamentare.
Zoti Veseli megjithatë ka arritur të lexojë procedurat që duhet të ndiqen sot, gjatë votimit për president të vendit.
Gjashtë deputetë largohen nga pjesëmarrja në seancën e sotme
"Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës: Ismail Kurteshi, Pal Lekaj, Teutë Haxhiu, Time Kadriaj, Bali Muharremaj dhe Faton Topalli, të largohen nga pjesëmarrja në seancën plenare me 26 shkurt 2016, për shkak se me sjelljet dhe veprimet e tyre, e pamundësuan zhvillimin e punimeve të seancës plenare".
Këtë vendim e ka lexuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka kërkuar largimin e tyre nga salla e Kuvendit.
Me leximin e këtij vendimi rinis edhe seanca e jashtëzakonshme.
Reagon ambasadori amerikan
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, sapo ka dhënë një deklaratë të shkurtër, duke shprehur, siç ka thënë, "frustrimin e tij me pengesën që opozita i ka bërë një procesi demokratik".
Ambasadori amerikan tha se në pjesën e parë të seancës së sotme, kur edhe u zhvillua debati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, opozita dëshmoi se mund të ketë debat.
Zoti Delawie tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim në demokracinë e Kosovës dhe ka shprehur sërish mbështetjen për institucionet dhe popullin e Kosovës.