Mblidhet Kryesia e Kuvendit
Kryesia e Kuvendit është mbledhur në një takim për të vendosur rreth vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Seanca ishte duke i vazhduar punimet deri në momentin kur deputetët nga radhët e partive opozitare hodhën gaz lotsjellës, me çka detyruan kryesuesin e saj, nënkryetarin e Kuvendit, Xhavit Haliti që të shpallë pauzë.
Tani mbetet në vendimin e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe Kryesisë që të vendosin për vazhdimësinë e kësaj seance.
Deputeti Bali Muharremaj pranon se ka hedhur gazin lotsjellës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj ka treguar publikisht se ai ka hedhur gazin lotsjellës në seancën e sotme. Menjëherë pas, policia i është afruar atij për ta shoqëruar jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
“Këtë veprim e kam bërë për ta mbrojtur shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Muharremaj dhe ka vazhduar jashtë Kuvendit i shoqëruar nga policia.
Anketë me qytetarë
Qytetarët e anketuar në Prishtinë, shprehin shqetësimet e tyre rreth zhvillimeve politike aktuale në vend.
Video: Në kohën kur Sabri Hamiti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës po u drejtohej ligjvënësve, deputetë nga radhët e opozitës hodhën gaz lotsjellës dhe ndërprenë punimet e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Seanca pritet të vazhdojë pas 10 minutash. Rreth foltores së Kuvendit të Kosovës janë rreshtuar tashmë pjesëtarë të sigurimit.