Raportet e tensionuara
Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të trija në opozitë, janë zotuar se do ta pengojnë seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, në postin e presidentit të Republikës.
Opozita kundërshtimet i ka nisur që në muajin shtator të vitit 2015, duke kërkuar shfuqizimin e marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe atë për shenjimin e kufirit me Malin e Zi. Ajo ka përdorur edhe gazin lotsjellës në Kuvend për të penguar çdo seancë, duke thënë se marrëveshjet cenojnë tërësinë territoriale të Kosovës.
Pas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se disa pjesë të marrëveshjes për Asociacionin nuk janë në pajtim me Kushtetutën, opozita doli me kërkesën për dorëheqjen e plotë të qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Marrëveshja është arritur në kuadrin e bisedimeve në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Sheshi qendror në Prishtinë: Për dhe kundër Hashim Thaçit
Deputetët dhe diplomatët e huaj fillojnë të hyjnë në Kuvend
Nën masa të shtuara të sigurisë deputetët, si dhe mysafirët, kryesisht ambasadorë të akredituar në Kosovë, kanë filluar të hyjnë në sallën qendrore të Kuvendit, për të përcjellë nga afër seancën e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Për shkak të paralajmërimeve të opozitës se do të përpiqet të pengojë këtë seancë, sigurimi po zbaton një regjim të rreptë kontrolli për të gjithë ata që hyjnë në Kuvend, përfshirë këtu edhe deputetët dhe gazetarët.
Aktualisht, salla është e zbrazët, ndonëse seanca është thirrur të fillojë në orën 11:00.
Fotogaleri: Opozita kundërshton zgjedhjen e presidentit