Tubohen në shesh edhe mbështetësit e Hashim Thaçit
Një grup i qytetarëve, mbështetës i kandidatit kryesor për president të Kosovës, Hashim Thaçi tashmë ka mbërritur në sheshin qendër të Prishtinës. Ky grup qytetarësh po brohorit “Thaçi”... “Thaçi”. Kurse në duar mbajnë flamuj të Kosovës dhe ata shqiptar.
Mbështetësit e Thaçit janë tubuar vetëm pak metra larg atyre të opozitës. Mes dy grupeve zbarkuan njësitet speciale të Policisë së Kosovës, për të penguar përplasjen midis tyre.
Protestuesit nisit të grumbullohen para Kuvendit
Partitë opozitare dhe mbështetësit e tyre, tashmë kanë filluar të mblidhen para ndërtesës së Kuvendit ku në orën 11:00 pritet të nis procedura e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës. Opozita po e kundërshton ashpër zgjedhjen e presidentit dhe kandidatit për këtë post, Hashim Thaçi, lider i Partisë Demokratike të Kosovës.
Protesta po përcillet nga afër nga forcat e policisë së Kosovës, përfshi edhe ato të njësive speciale të cilat janë vendosur brenda oborrit të Kuvendit.
Foto: Pamje nga një tendë para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë. Aktivistë nga radhët e partive politike në opozitë, kanë dalë para objektit të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, për të bllokuar zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Video: Forca të shtuara të sigurisë kanë rrethuar objektin e Kuvendit të Kosovës, para fillimit të seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, që të trija në opozitë kanë paralajmëruar protesta për të penguar zgjedhjen e presidentit.