Aktivistë nga radhët e partive politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë dalë para objektit të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, për të bllokuar siç thanë, zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Për këtë post, kandidat i vetëm deri më tash është zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Aktivistët kanë sjellë edhe tenda dhe mbulesa, në kuadër të planeve për të qëndruar edhe gjatë natës në hapësirat para Kuvendit dhe Qeverisë.
Tre liderët e partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, në një konferencë për media të mbajtur në sheshin "Ibrahim Rugova", i cili ndodhet pranë Kuvendit, njoftuan se protestat kundër qeverisjes aktuale do të vazhdojnë deri në zbatimin e kërkesave të tyre.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se protestat që po vazhdojnë, janë kundër siç tha ai, regjimit që ka uzurpimin e posteve publike.
"Do ta fillojmë protestën tonë të vazhdueshme kundër këtij regjimi anti-kushtetues, kundër këtij regjimi anti-republikë dhe kjo protestë do të vazhdojë deri në momentin e largimit të kësaj qeverie", tha Ymeri.
Kryetari i Aleancës për Armërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se një etapë e re e protestave dhe kundërshtimit të qeverisjes aktuale fillon nga e marta duke kundërshtuar, siç tha ai, regjimin Mustafa-Thaçi.
“Fillon një etapë e re e kundërshtimit të vazhdueshëm të përhershëm këtu në shesh. Ky aktivitet i kundërshtimit opozitar në sheshin e kundërshtimit tani më është bërë me të gjitha përgatitjet e duhura, nënkupton qëndrim të përhershëm në tenda. Kemi marrë leje nga komuna edhe çdo gjë është në përputhje me të drejtat tona si qytetarë, si taksapagues, por edhe si subjekte politike opozitare. Nga sot jemi këtu e gjithnjë", tha Haradinaj.
Kurse, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka ftuar qytetarët që të bashkohen në këtë protestë të qetë dhe paqësore.
"Kjo është rruga që po e ndjek opozita e bashkuar me shoqërinë civile dhe qytetarë. Ju jeni dëshmitarë që ky regjim jo që nuk po reflekton, por po vazhdon me shtypje, dhunim, me burgosje dhe me tërheqje zvarrë të deputetëve të opozitës nga parlamenti dhe përjashtimin e tyre", u shpreh Limaj para gazetarëve.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga opozita dhe aktivistë të subjekteve opozitare, para orës 14:00 kishin filluar të mblidhen në sheshin "Skënderbe" dhe "Ibrahim Rugova".
Këto tubime thuhet se po bëhen jo vetëm kundër zgjedhjes së Hashim Thaçit për president, por edhe në kundërshtim të vazhdimit të qeverisjes nga koalicioni aktual PDK-LDK.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se kauzat në të cilat po thirret opozita dhe po vepron, janë kauza fiktive...
Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha problemet të cila opozita mendon se ekzistojnë në vend, ato mund të zgjidhen në institucionet përkatëse.
Abrashi deklaroi se veprimet të cila po i ndërmarrin partitë politike opozitare si në institucione ashtu edhe jashtë tyre, janë të papranueshme.
"Qëllimi i opozitës dhe atë çka ka bërë muajt e fundit ka qenë tentimi - dhe ende vazhdojnë - që dhuna të jetë normë normale e politikë-bërjes në Kosovë dhe kjo është e papranueshme për ne. Ata po tentojnë publikut t'i servojnë kauza, të cilat janë fiktive dhe përmes dhunës t'i adresojnë ato", tha Abrashi.
Forca të shtruara të Policisë së Kosovës, që nga mëngjesi janë parë përreth objektit të Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit, por edhe në sheshe të kryeqytetit.
Seanca për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, nuk është caktuar ende, por votimi për të duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para skadimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga, që në këtë rast i bije më 7 mars.
Por, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në seancën e fundit në Kuvend, Gjykata Themelore e Prishtinës, të shtunën, u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për 30 ditë, deputeteve Pal Lekaj e Donika Kadaj-Bujupi nga AAK, Albulena Haxhiu, Fisnik Ismajli dhe Besa Baftiu nga Vetëvendosje.
E njëjta gjykatë, për katër deputetët e tjerë, Rexhep Selimi, Mytaher Haskuka, Teuta Haxhiu dhe Shqipe Pantina, ka shqiptuar masën e lajmërimit në polici, për veprime të hedhjes së gazit lotsjellës në seancën e fundit në Kuvend.