Çështja e kufirit administrative që ndanë dy komunat e qytetit të Mitrovicës, atë jugore dhe atë veriore, tash e sa kohë është shndërruar në objekt polemike dhe kundërshtimesh ndërmjet zyrtarëve që drejtojnë të dy këto komuna.
Drejtuesit e komunës së Mitrovicës së jugut këmbëngulin se fshati Suhodoll, i cili është në anën veriore të lumit Ibër, që ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, i takon komunës jugore, ndërkohë që të kundërtën e thonë drejtuesit e komunës veriore.
Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës së jugut, e banuar me shumicë shqiptare, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se i gjithë problemi ka të bëjë me faktin se komuna veriore e Mitrovicës, e dëshiron një pjesë të territorit që i takon komunës jugore.
Bahtiri thekson se sipas Dokumentit të Ahtisaarit, i cili ishte edhe bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe përpilimin e Kushtetutës së vendit, fshati Suhodoll, i ndarë në të epërm dhe të poshtëm, i ka takuar komunës jugore, ndërkohë që kufiri administrativ, që e shënon ndarjen me komunën veriore, është përtej shtëpive të këtij fshati.
Me komunën veriore, sipas tij, kanë mbetur vetëm tokat që janë pronë e banorëve të Suhodollit.
“Problemi thelbësor është që vijën administrative ta kufizojnë me lumin Ibër dhe jo të ndalen këtu , por deri në Zubin Potok. Ky është qëllimi i tyre, i cili asnjëherë nuk ka për tu realizuar përderisa unë jam kryetar. Përcaktimi i kufijve është bërë në shkallën që është përmbi të gjitha shtëpitë e Suhodollit, i cili në atë kohë quhej i epërm dhe u ulët".
"Por, me planin e Ahtisaarit, Suhodolli, i poshtëm dhe i epërm, ka mbetur që t’i takojë pjesës jugore dhe pastaj ata e kanë krijuar Suhodollin e dytë, në të cilin janë krejtësisht vetëm prona dhe nuk ka asnjë qytetarë”, tha Bahtiri.
Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës së veriut, e banuar me shumicë serbe, thotë se problemi lidhur me atë se kujt i takon fshati Suhodoll, ka lindur gjatë procesit për zgjedhjet lokale.
Në këtë proces, sipas tij, qytetarët e Suhodollit kanë marrë pjesë në zgjedhjet komunale të komunës së Mitrovicës së veriut. Ata, sipas tij, i kanë përfaqësuesit e tyre që ende punojnë dhe marrin pjesë në Kuvendit komunal të komunës së Mitrovicës së veriut.
“Unë mendoj se këtu nuk ka asnjë problem rreth këtij demarkacioni, përveç disa problemeve politike, sepse nuk mund ta kemi një situatë ku në procesin zgjedhor dikush nga autoritetet qendrore në Prishtinë i ka ‘mashtruar’ qytetarët duk u thënë se ata janë qytetarë të Mitrovicës së veriut, ndërkaq, tash ku procesi zgjedhor është i përfunduar dhe ata i kanë përfaqësuesit e tyre në Kuvend, atëherë dikush thotë se ata nuk janë banorë të komunës së Mitrovicës së veriut, por janë të Mitrovicës së jugut. Ky është problemi i vetëm”, shtoi Rakiq.
Edhe Bahtiri e pranon se ka ndodhur gabimi, por, sipas tij, kjo nuk u jep të drejtë autoriteteve të komunës veriore të Mitrovicës, që ta përvetësojnë territorin e komunës jugore.
“Aty është bërë një gabim, që nuk është dashur të bëhet. Nuk i kanë legalizuar njerëzit që në letërnjoftimet e tyre të shkruhet vetëm ‘Suhodoll’. Dhe, ata kanë votuar ne pjesën e veriut, pa e ditur Komisioni Zgjedhor, i cili nuk i lejon ata të votojnë në atë pjesë. Tash janë duke i përmirësuar, që qytetarët që janë vetëm në Suhodoll, që i takon pjesës jugore, janë duke bërë ndërrimin. Në të ardhmen nuk do të kemi problem”.
Por, Rakiq, këmbëngulë që zgjidhja e vetme për shënimin e kufirit administrativ, është duke iu referuar procesit zgjedhor.
“Propozimi im është që t’i përmbahemi vetëm atij procesi zgjedhor dhe thjeshtë, ta shohim situatën në terren, sepse ndonjëherë edhe plani më i mirë që mund të jetë në tavolinë, nuk mund të ketë sukses në qoftë se situata në terren është tjetër. le të mbetet ashtu siç ka qenë në procesin zgjedhor. Pra, në procesin zgjedhor, Suhodolli ka qenë në komunën e Mitrovicës së veriut dhe kjo është zgjidhja e vetme dhe reale”, ka theksuar Rakiq.
Ndryshe, të dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, veriut dhe jugut, kanë theksuar se lidhur me problemin e kufirit administrativ të dy komunave kanë biseduar edhe me autoritetet qendrore, por edhe me përfaqësues të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Por, deri më tash, ende nuk është arritur ndonjë zgjidhje, e cila do t’i vinte kapak këtij problemi.