Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, rreth 80 për qind e nevojave të pacientëve, i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut, derisa për 20 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.
Hysen Sadriu, drejtor i Qendrës së Kosovës për Transfuzionin e Gjakut në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vit shënohet rritje e dhuruesve vullnetarë të gjakut.
“Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut çdo vit ka rritje vullnetare të gjakut. Kjo është një punë që na inkurajon, pasi që njerëzit po e shohin rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut”.
“Ne, gjithashtu, bëjmë edhe aksione në terren për mbledhjen e njerëzve që dhurojnë vullnetarisht gjak. Krahasuar dy-mujorin e parë të këtij viti me atë të vitit të kaluar, numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut është rreth 50 për qind më i madh”, bën të ditur ai.
Megjithkëtë, ka raste kur ka edhe mungesë për disa grupe të caktuara të gjakut që janë të rralla. Mirëpo, edhe në raste të tilla, sipas Sadriut, ata arrijnë të sigurojnë doza të mjaftueshme gjaku për grupe më specifike.
“Ndonëse kërkesat për gjak janë të mëdha, të gjitha kërkesat po plotësohen. Ka raste kur ndonjë grup më i veçantë ka mungesë, por ne kemi njerëz të caktuar që i thërrasim në rast nevoje, ndonëse janë raste shumë të rralla”, shpjegon Sadriu.
Njëri nga qytetarët me grupin e gjakut B negativ, Blerim Berisha, thotë se gjithmonë është i gatshëm të japë gjak për ndonjë qytetar që ka nevojë. Ai nuk është dhurues i rregullt i gjakut, por sa herë që dikush ka nevojë për këtë grup, thotë se dhuron gjak.
“Unë nuk jap gjak, si shumë shokë e familjarë të mi, vullnetarisht. Unë kam një grup më specifik dhe sa herë që dikush ka nevojë për këtë lloj gjaku, unë jam në dispozicion”, thotë Blerim Berisha.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës emergjente, Basri Lenjani, deklaron se të gjitha rastet emergjente, që nga vitit 1999, janë mbuluar 100 për qind me doza gjaku, nga Qendra e Transfuzionit të Gjakut.
“Klinika emergjente, në saje të kërkesave të bëra në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, të gjitha kërkesat emergjente plotësohen me doza gjaku, dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që pacienti të mbetet me mungesë gjaku. Ky bashkëpunim ka filluar që nga vitit 1999 dhe vazhdon më tutje në mbështetjen e shërbimit emergjent mjekësor”, pohon Lenjani.
E, dhuruesit e gjakut, sipas drejtorit Sadriu, janë të moshave të ndryshme, dhe grupeve të ndryshme të gjakut.