Me rreth 80 doza që kërkohen gjatë ditës, gjaku është bërë një nga nevojat kryesore të pacientëve kosovarë, bën të ditur Hysen Sadriu, drejtor i qendrës së Kosovës për transfuzionin e gjakut në Prishtinë.
Por, sipas zotit Sadriu, deri tani nuk ka ndodhur që të pësojë ndonjë pacient, si mungesë e gjakut dhe kjo falë vullnetarëve që dhurojnë gjak.
“Qëndrojmë shumë mirë sa i përket furnizimit me gjak dhe komponentet e gjakut. Kjo është si rrjedhojë e dhuruesve vullnetarë të gjakut. Kërkesat janë varësisht nga gjendja e pacientëve , nga aksidenteve numrit të operacioneve, por që nevojitet deri në 80 doza gjatë ditës për me t’i mbuluar kërkesat”, thotë Sadriu.
Ai thotë dhuruesit vullnetarë më të mëdhenj të gjakut, janë nxënësit e shkollave të mesme.
“Dhuruesit vullnetarë më të mëdhenj të gjakut janë të rinjtë, e kemi aksionin këto ditë nëpër shkollat e mesme, ku përgjigjja e tyre është e kënaqshme”.
Njazi Kelmendi, jeton në Gjermani. Ai dhuron vullnetarisht gjak, për shkak se mendon se trupi i njeriut ka nevojë të prodhojë gjak të ri. Në transfuzion kishte shkuar për t’i dhuruar gjak një familjari.
“Unë jap gjak, sepse mendoj se është mirë të dhurosh gjak edhe për organizmin. Trupi i njeriut prodhon gjak të ri nëse dhuron gjak, por edhe iu ndihmon njerëzve. Sot kom dhënë për familjarin gjak, por unë jam dhurues. Unë jetoj në Gjermani dhe atje kam dhuruar dy herë vullnetarisht”, shprehet ai.
Edhe Bashkim Krasniqi dhuron gjak. Ai është 45 vjeçar dhe thotë se ka filluar me vonesë të dhurojë gjak, por që tash e tutje do ta praktikojë dhurimin vullnetar të gjakut.
“E dyta herë që po jap gjak. E kam babanë e shtrirë në spital dhe iu ka nevojitur gjaku. Që dy herë për babanë jam duke dhuruar gjak. Përndryshe, nuk jetoj në Kosovë, andaj edhe asnjëherë vullnetarisht nuk kam dhuruar, se nuk kam pasur mundësi”.
Ndërkaq, drejtori i transfuzionit, Hysen Sadriu, thotë se kanë bashkëpunim të mirë edhe me institucionet private shëndetësore, derisa shton se gjaku shpëton jetë, andaj është obligim që pacienti të mos ketë në mungesë të gjakut.
“Edhe me klinikat private kemi bashkëpunim, dhe ne kemi obligim që t’iu dalim në ndihmë pacientëve, dhe edhe ata i mbulojmë. Pacienti është i njëjtë, qoftë duke u trajtuar në klinikë private apo shtetërore, kemi obligim moral që t’iu ndihmojmë”, bën të ditur Sadriu.
Ai, për Radion Evropa e Lirë thotë se dhuruesit e gjakut janë të moshave të ndryshme dhe grupeve të ndryshme të gjakut.
“Ne kemi dhurues vullnetarë të moshave të ndryshme, ne kemi dëshirë të kemi më shumë dhurues të rinj, por, kemi një kombinim të moshave dhe dita ditës shtohen gjithnjë e më shumë vullnetarë”.
Ndërkaq, Ruzhdi Gashi nga Cërnalluku, ka dhuruar gjak për babanë e tij, meqë kanë grupin e gjakut të njëjtë. Por, zoti Gashi pohon se ai është dhurues vullnetar i rregullt i gjakut.
“Nuk jam dhurues i rregullt, por jap gjak sipas nevojës. Nëse ka nevojë ndonjë pacient gjithsesi i ndihmoj. Unë sot kam dhënë për babanë tim, ai është 68 vjeçar. Nëse ka nevojë për ndonjë pacient, me dëshirë kisha dhuruar. Nuk më detyruan mjekët të jap, por thanë që ka mungesë, dhe unë erdha vullnetarisht”.