Ndërlidhjet

Gaz lotsjellës në Kuvend, deputetë në stacione policore


Seanca e 19 shkurtit në Kuvend
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Seanca e 19 shkurtit në Kuvend

Nën tensione të shtuara nisi seanca e thirrur për ditën e premte në Kuvendit e Kosovës.

Kuvendi, që në orët e hershme, ishte rrethuar nga forca të shumta policore, përfshirë edhe njësitë speciale. Për hyrjet në Kuvend, si për deputetët, ashtu edhe gazetarët, janë zbatuar masa të rrepta sigurie.

Pak para se të hynte në Kuvend, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është sulmuar me vezë nga dy persona.

Pas fillimit të seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ia ka dhënë fjalën kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri.

Ymeri, pasi mori fjalën, bëri thirrje sërish për dorëheqjen e qeverisë, duke u zotuar se opozita nuk do të lejojë qeverisjen e vendit nga ky koalicion.

"Regjimin Mustafa- Thaçi, nuk do ta lejojmë të sillet si Qeveri e Republikës së Kosovës. Ky regjim sundimtaresh po mundohet ta mbajë veten dhunshëm në këto karrige. Po mundohet dhunshëm ta mbajë shtetin të kapur, po mundohen dhunshëm të mbajnë seanca për ta thelluar kapjen e shtetit dhe për ta zgjeruar atë deri në presidencë", tha Ymeri.

Pas fjalës së Ymerit, kryetari i Kuvendit, Veseli, që ishte duke e lexuar një deklaratë me të cilën dënohej gjykimi i disa ish eprorëve të UÇK-së nga gjykatat në Serbi, deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina hodhi gaz lotsjellës në sallë. Verimet e tilla, kryetari i Kuvendi, Kadri Veseli i ka konsideruar si të pa drejta.

"Nuk është dinjitoze, megjithatë le të mbetet në ndërgjegjen e juaj kjo çka po bëni ju", tha Veseli.

Megjithatë, deklarata për dënimin e eprorëve të UÇK-së nga gjykatat e Serbisë u votua në rrethanat edhe kur salla e Kuvendit ishte e mbushur me gaz lotsjellës. Më pas, u ndërpre seanca.

Pas ndërprerjes se seancës, ndër të parët ka qenë reagimi i Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi. Ai, veprimet e opozitës, i cilësoi si të dëmshme.

“Reagimet opozitare mund të vazhdojnë; duhet të mësohen me jetën demokratike, duhet të mësohet se askush nuk mund ta marrë pushtetin me dhunë. Askush nuk mund të kalojë mbi kutitë e votimit, mbi vullnetin e qytetarëve. Kjo që po ndodhë edhe sot është mesazhi më i keq i mundshëm që ata mund ta dërgojnë para botës, për imazhin e Kosovës ”, ka thënë Thaçi.

Thaçi është zotuar se koalicioni qeverisës do ta vazhdojë punën deri në qershor të vitit 2018.

Seanca e së premtes është ndërprerë tri herë, për të vazhduar pa opozitën pas orës 15:00.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, me anë të komunikatave për media, ka bërë të ditur se ka pezulluar nga seanca 18 ligjvënës nga radhët e opozitës, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës brenda sallës së Kuvendit.

Sipas komunikatave për media, vendimi është mbështetur në Kushtetutë dhe Rregullore të Punës së Kuvendit, lidhur me sjelljen dhe veprimet e disa deputetëve të opozitës.

Tre liderët e partive opozitare, pasi nuk janë lejuar të hyjnë në seancë pas pauzës, janë prononcuar për medie, nga holli i Kuvendit të Kosovës.

Përjashtimin e deputetëve të opozitës nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e kanë cilësuar si shkelje të demokracisë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se askush nuk ka dokument të shkruar për arsyet e përjashtimit nga seanca dhe se kjo gjë është bërë në mënyrë arbitrare.

“Nëse Republika nuk është demokratike, nuk mund të quhet Republikë."

"Ky shtet është i kapur nga ‘klika’ e Mustafës dhe Thaçit, të cilët po mundohen që këtë shtet ta përdorin për interesa personale”, ka thënë Ymeri.

Ndërsa kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se opozita e përjashtuar në rrugë është zgjidhja e pushtetarëve për krizën.

Shfrytëzimi i Policisë, në ruajtje të pozicionit të tyre, është metoda që po përdorë pushteti, për ta qeverisur vendin, ka thënë ai.

“Kjo është kriza për të cilën po flasim ne”, ka thënë Limaj.

Ndërsa Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka deklaruar se pushtetarët sot e kanë keqpërdorur Policinë e Kosovës për t’i arritur qëllimet e tyre.

Këtë përjashtim të deputetëve, ai thotë se nuk e ka parë e as përjetuar asnjëherë.

Pas pezullimit, disa deputetë, të cilët nuk e kishin lëshuar sallën e Kuvendit gjatë kohës së pauzës, janë nxjerrë jashtë sallës së Kuvendit me forcë nga policia.

Gjate largimit nga salla e kuvendit deputetja Albulena Haxhiu është lënduar në kokë dhe gjendet ne spital.

Policia e Kosovës ka ndaluar deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, shefe e grupit parlamentar të AAK-së dhe deputetin Pal Lekaj, njoftoi AAK përmes një komunikate. E ndaluar nga policia është edhe Besa Baftiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Këtë gjë e konfirmoi edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

"Referuar rrethanave dhe situatës së krijuar sot në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe jashtë tij, Policia e Kosovës gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore për garantimin e rendit dhe sigurisë, ka ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin e personave përgjegjës për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme, dhe në këtë kontekst, për intervistim në polici, sipas procedurave ligjore, janë shoqëruar gjashtë (6) persona të dyshuar, tre (3) prej tyre deputetë të Kuvendit të RKS-së, të cilët dyshohen për kryerje te veprës penale: Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve (gazit lotsjellës)", ka sqaruar Hoxha.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se është në Kosovë për ta mbështetur punën e institucioneve të vendit.

“Kam neveri nga veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës dhe AAK-së, për atë që kanë bërë sot në Kuvend”, ka thënë Greg Delawie, duke iu drejtuar gazetarëve në mjediset e Kuvendit.

Ai ka përmendur se para 17 - 18 vjetësh, shumë qytetarë të Kosovës janë larguar nga Kosova, e shumë të tjerë kanë humbur jetët e tyre. Qytetarët, sipas tij, kanë kërkuar pavarësi dhe liri. Veprimet në Kuvend dhe hedhja e gazit lotsjellës, po ua mohon lirinë qytetarëve të Kosovës, ka thënë Delawie.

Zhvillimet në Kuvend kanë nxitur kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj që ta dorëzojë mandatin e tij të deputetit.

“Duke e parë se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një institucion për mbulesën e shkeljeve kushtetuese që i ka bërë qeveria, duke e parë se Kuvendi është shndërruar në një vend ku deputetët, me urdhër politik, tërhiqen zvarrë nga policia dhe duke e parë përjashtimin arbitrar të deputetëve të opozitës nga Kuvendi, jap dorëheqje të parevokueshme nga mandati i deputetit”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka ftuar opozitën në dialog, duke thënë se ende nuk e di se çfarë në të vërtetë po kërkon opozita.

“Le të vijnë me një opsion, le të na tregojnë se cili është qëndrimi i tyre. Janë për bashkim kombëtar... janë për këtë apo atë flamur.. cili është qëndrimi i tyre”, ka shtruar pyetjet dhe dilemat Veseli.

Gjatë gjithë kohës sa po i zhvillonte punimet Kuvendi, një grup i qytetarëve, shumica prej të cilëve aktivistë të opozitës, po qëndronin para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, për t’i përcjellë nga afër zhvillimet në seancën e sotme.

Aktivistët e opozitës para Kuvendit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Sipas ftesës së partive opozitare, përveç bllokadës së punës së Kuvendit nga ana e deputetëve opozitar, në rast se Kuvendi provon të zgjedh presidentin e ri, atëherë protestat do të shtriheshin edhe në rrugë.

Hendeku ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës nisi të thellohet më 25 gusht 2015, atëherë kur Kosova dhe Serbia nënshkruan katër marrëveshje.

Opozita kërkon shfuqizimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe atë për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, duke i cilësuar si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG