Deputetët e partive opozitare, përfshirë edhe ata të pezulluar nga seanca, po qëndrojnë në hollin e Kuvendit, përballë sigurimit, i cili nuk po i lejon të hyjnë në sallë.
Largimi i tyre nga seanca është bërë me vendim të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për shkak të pengimit të punimeve të seancës dhe përdorimit të gazit lotsjellës.
Tre liderët e partive opozitare janë prononcuar për medie, nga holli i Kuvendit të Kosovës, ku kanë qëndruar deri më tani.
Përjashtimin e deputetëve të opozitës nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e kanë cilësuar si shkelje të demokracisë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se askush nuk ka dokument të shkruar për arsyet e përjashtimit nga seanca dhe se kjo gjë është bërë në mënyrë arbitrare.
“Nëse Republika nuk është demokratike, nuk mund të quhet Republikë”, ka thënë Ymeri.
“Ky shtet është i kapur nga ‘klika’ e Mustafës dhe Thaçit, të cilët po mundohen që këtë shtet ta përdorin për interesa personale”, ka shtuar ai.
Ndërsa kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se opozita e përjashtuar në rrugë është zgjidhja e pushtetarëve për krizën.
Shfrytëzimi i Policisë, në ruajtje të pozicionit të tyre, është metoda që po përdorë pushteti, për ta qeverisur vendin, ka thënë ai.
“Kjo është kriza për të cilën po flasim ne”, ka thënë Limaj.
Ndërsa Ramush Haradinaj, lideri i Alenacës për Ardhëmrinë e Kosovës, ka deklaruar se pushtetarët sot e kanë keqpërdorur Policinë e Kosovës për t’i arritur qëllimet e tyre.
Këtë përjashtim të deputetëve ai thotë se nuk e ka parë e as përjetuar asnjëherë.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se është në Kosovë për ta mbështetur punën e institucioneve të vendit.
“Kam neveri nga veprimet e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës dhe AAK-së, për atë që kanë bërë sot në Kuvend”, ka thënë Greg Delawie, duke iu drejtuar gazetarëve në mjediset e Kuvendit.
Ai ka përmendur se para 17 - 18 vjetësh shumë qytetarë të Kosovës janë larguar nga Kosova, e shumë të tjerë kanë humbur jetët e tyre.
Qyetatarët, sipas tij, kanë kërkuar pavarësi dhe liri.
Veprimet në Kuvend dhe hedhja e gazit lotsjellës, po ua mohon lirinë qytetarëve të Kosovës, ka thënë Delawie.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i shoqëruar nga deputeti Albin Kurti, tashmë janë larguar nga Kuvendi i Kosovës.
Ata u janë drejtuar protestuesve, të cilët ndodhen para Kuvendit të Kosovës.
“Sot Hashim Thaçi nuk arriti të bëhet president”, ka thënë Ymeri, përderisa protestuesit thërrisnin: “Thaçi në burg”.
Ymeri shtoi se sot u dëshmua që ‘klikës’ së Thaçit dhe Mustafës i ka ardhur fundi.
Ai tha se protestën e radhës do ta mbajnë më 27 shkurt, ashtu siç e kanë paralajmëruar më herët, por, në rast se pushtetarët provojnë ta zgjedhin presidentin, Ymeri ka thënë se do të tubohen prapë para Kuvendit të Kosovës.
"Shihemi në protestën e radhës", u ka thënë në fund të fjalës së tij, Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.