Ndërlidhjet

Çollaku: Llogari për vonesën e liberalizimit duhet të japin të gjithë


Intervistë me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
Intervistë me ministrin e Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

"Mund të konfirmojë se nga tetë rekomandimet e fundit të Komisionit Evropian, gjashtë prej tyre i kemi plotësuar në tërësi, ndërsa dy të tjera janë në proces”, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Dy rekomandimet e pazbatuara janë ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe objekti i Avokatit të Popullit.

Radio Evropa e Lirë: Komisioni Evropian ka përcaktuar edhe tetë kriteret e fundit të cilat Kosova duhet t'i përmbushë për liberalizimin e vizave. Sa nga këto kritere keni arritur t'i plotësoni ndërkohë?

Bekim Çollaku: Është e vërtetë se nga raporti i fundit i Komisionit Evropian kanë dalë edhe tetë rekomandime shtesë për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.

Që nga momenti i publikimit të këtij raporti dhe deri tani kur po flasim, janë adresuar pjesa dërmuese e këtyre kritereve dhe me saktësi mund të konfirmojë që nga tetë rekomandimet e fundit gjashtë nga to janë plotësuar në tërësi, ndërsa dy të tjera janë në proces të plotësimit të plotë.

Këto dy që kanë mbetur, njëra ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe tjetra ka të bëjë me sigurimin e një ndërtese të përhershme për nevojat e punës së Avokatit të Popullit. Edhe kjo çështje është në adresim e sipër dhe shpresoj se shumë shpejtë do të kemi përgjigje pozitive ndaj kësaj çështje.

Radio Evropa e Lirë: Çështjet më problematike, kushtimisht thënë, mbeten objekti i Avokatit të Popullit dhe demarkacioni me Malin e Zi. Sidomos kjo e dyta, a mund të jetë pengesë reale që Kosova të mos e fitojë liberalizimin as këtë vit?

Bekim Çollaku: Sa për sqarim të opinionit publik edhe sa i përket ndërtesës së Avokatit të Popullit, por edhe sa i përket çështjes së ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit, këto dy kritere ose rekomandime janë kritere monitoruese.

Adresimi i tyre në tërësi ndërlidhet me implementimin e procesit të liberalizimit të vizave, por, nuk është pengesë për dhënien e rekomandimit zyrtar nga ana e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën sepse janë dy momente në këtë proces. I pari fillon me dhënien e rekomandimit dhe pastaj proceset e tjera të brendshme në kuadër të Bashkimit Evropian.

Mirëpo, qytetarët e Kosovës me siguri nuk do të mund të udhëtojnë pa viza nëse nuk i plotësojmë në tërësi kriteret duke përfshirë edhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion dhe njëkohësisht edhe gjetjen e objektit të përhershëm për nevojat e punës së Avokatit të Popullit.

Mirëpo, ne kemi kohë të mjaftueshme në dispozicion deri sa të merret vendimi dhe data e saktë për hyrje në fuqi të rekomandimit të Komisionit Evropian kurdo që të ndodh një gjë e tillë kemi kohë të mjaftueshme që deri atëherë ta rishikojmë për nevoja të brendshme gjithë procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, përmes një komisioni të pavarur me ekspertë vendor dhe ndërkombëtarë, ashtu siç ka propozuar presidentja e vendit dhe ne po presim që opozita e cila e ka bërë ketë çështje kaq problematike që patjetër të jetë pjesë e këtij komisioni sepse ndryshe nuk do të adresohen ato shqetësime që ata i kanë ngritur.

Vetëm me pjesëmarrjen e tyre në këtë komision, ne do të sigurohemi që çfarëdo lëshimi që ka mundur të ndodh gjatë këtij procesi të adresohet dhe përmirësohet, sepse ka një vullnet të tillë edhe nga institucionet tone mirëpo edhe nga Mali i Zi, dhe nuk kemi nevojë asnjë arsye të vetme që këtë çështje ta bëjmë problematike aq më tepër kur është një nga kushtet për liberalizimin e vizave.

Ndërsa sa i përket çështjes teknike të Avokatit të Popullit, kjo çështje është çështje e ditëve, dhe Avokati i Popullit në momentin kur po flasim, ka një ndërtesë në të cilën do të qëndrojë deri në verë, ka të paguar qiranë mirëpo qëllimet tona janë të dilet nga ky objekt me qira, të sigurohet një objekt shtetëror ku ai do të punojë pa probleme dhe do të ketë mundësi për të marrë edhe staf të ri në punë, në mënyrë që t'i përmbush obligimet që atij i dalin të parapara me ligjet dhe pakon e ligjeve që ne kemi miratuar vitin e kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Çdo vonesë që ndodh për fajin tonë, për fajin e të gjithë akterëve politik, të jemi të qartë, vonesat aktuale të këtyre 2 çështjeve nuk janë vonesa ekskluzive të Qeverisë së Kosovës, janë vonesa të të gjithë akterëve politik, përgjegjësi dhe llogari duhet të japin të gjithë jo vetëm qeveria si bartëse e këtij procesi. Prandaj, kërkohet mirëkuptim dhe angazhim i të gjitha palëve të përfshira.

Radio Evropa e Lirë: Në kuadër të agjendës integruese, sivjet fillon edhe zbatimi konkret i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Cilat konsideroni se do të jenë përfitimet fillestare të Kosovës?

Bekim Çollaku: E rëndësishmja e këtij procesi në rend të parë është rëndësia politike që ky proces i jep Kosovës, sepse fillojmë zbatimin joformal të një marrëveshjeje kontraktuale për herë të parë mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa aspekti i dytë i rëndësishëm është aspekti tregtar, sepse me hyrjen në fuqi, do të hapet tregu evropian për produktet e Republikës së Kosovës, dhe normalisht do të hapet ndaj produkteve dërmuese që vijnë nga BE.

Mirëpo, të mirat e kësaj janë të gjithanshme sepse do të rritet konkurrenca, do të rritet kualiteti i shërbimeve dhe produkteve që do shërbejnë për konsumatorët në Kosovë, dhe normalisht vetë marrëveshja si e tillë do të krijojë mundësi shumë më të mëdha për investitorë nga shtetet e BE-së, që ta shohin Kosovën si një treg të mundshëm jo vetëm për shitjen e prodhimeve të tyre, por edhe për të ardhur këtu për të investuar, dhe për të prodhuar në Kosovë për tregun evropian pastaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG