Ndërlidhjet

Pak të përgatitur për tregun e punës


Ilustrim
Ilustrim

Institucionet e arsimit të lartë në Kosovë po kritikohen nga ekspertë të arsimit dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për mospërgatitjen e duhur të studentëve për tregun e punës.

Studentët të cilët po i përfundojnë studimet në Universitetin e Prishtinës dhe në universitetet private në Kosovë, thuhet se nuk po i marrin shkathtësitë e domosdoshme që të konkurrojnë në tregun e punës në Kosovë e më gjerë.

Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit në Kosovë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se në Kosovë nuk ka mësimdhënës të avancuar, gjë që do të mundësonte një përgatitje profesionale për studentët.

“Nuk janë të përgatitur për shkak se sistemi i arsimit në Kosovë, si ai parauniversitar dhe ai universitar, është në krizë të theksuar dhe nuk arrin të aftësojë qytetarët që të jenë në gjendje në mënyrë produktive dhe kreative të ndërveprojnë, as në natyrë e as në shoqëri”, thotë Hyseni.

Ai thotë se në arsimin e lartë nuk ka aktivitetedhe veprimtari shkencore, gjë që, sipas tij, studentët në Kosovë nuk përgatiten në masën e duhur që të bëjnë kërkime dhe hulumtime, për të gjeneruar dije të reja, e që janë të domosdoshme për të qenë të aftë të konkurrojnë edhe në tregun evropian.

“Punë nuk mund të sigurohet përmes duarve. Puna në Bashkimin Evropian sigurohet përmes kokës, pra përmes zhvillimeve akademike të dijeve, që studentët tanë në Universitete publike dhe private nuk i marrin fare.”

“Njohja e gjuhës angleze është imperativ kohe; nuk ka mundësi që dikush të konkurrojë në tregun global të punës nëse ai nuk është në gjendje të komunikojë në gjuhën angleze”, thekon Hyseni.

Në tregun e punës në Kosovë çdo vit janë aktivë për t’u punësuar 25 deri në 30 mijë persona, të gjithë të gjeneratës 18 e më lartë, derisa po ky treg mund të absorbojë vetëm 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit.

Përveç aftësimit jo të duhur të studentëve, Kosova përballet edhe me mungesë të kuadrove në lëmi të caktuara, e të cilat nevojiten më shumë për tregun vendor dhe atë evropian.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi thotë për Radion Evropa e Lirë se sistemi arsimor në Kosovë, qoftë ai publik, apo ai privat, është duke përgatitur kuadro vetëm për punë administrative.

“Ajo që e ndikon zhvillimin ekonomik, qoftë brenda Kosovës apo jashtë saj, janë shkathtësitë teknike apo lëndët të cilat kanë të bëjnë me inxhinierinë, elektron, pasi që këto janë këto profesione që nevojiten për zhvillimin e sektorëve të punës, sidomos tani në shekullin 21, kur ambienti i punës po ndryshon. Pra duhen këto kuadro, derisa ne nuk i kemi ato”, thotë Demi.

Si problematikë në përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë është theksuar edhe personeli i pakët akademik në raport me studentët. Në Universitetin e Prishtinës, raporti i personelit akademik për student, është 1 profesor me 52 studentë.

Sipas Agron Demit, nga aftësimi jo i duhur i studentëve dhe mungesa e kuadrove në lëmi të caktuara,Kosova do të pësojë shumë.

“Ajo që e determinon zhvillimin ekonomik është kapitali njerëzor, dhe në strategjinë e re të zhvillimit ekonomik, Qeveria e Kosovës shumë mirë e ka identifikuar problemin kryesor, për shkak se një prej objektivave kryesore është zhvillimi i kapitalit njerëzor, mirëpo, kjo do të marrë kohë, por së paku duhet të fillojë. Por, duke pasur parasysh zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, kemi shumë pak shpresë se kjo do të ndodhë”, shton Demi.

Interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit. Ndërmjet vitit 2004 dhe 2015, numri i studentëve në arsimin e lartë është trefishuar, nga 40 mijë në 120 mijë.

Sot, Kosova është e para në Evropë me 6.669 studentë në 100 mijë banorë, dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian, prej 3.987.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG