Ndërlidhjet

Të studiosh vetëm në baza teorike...


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë këtij viti, të rinjtë në Kosovë presin më shumë përmirësime dhe krijimin e kushteve për arsim më cilësor, në mënyrë që të jenë më të përgatitur për tregun e punës.

Disa nga ta thonë se në fakultete të ndryshme në Universitetin Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, studimet bëhen vetëm në bazë teorike, kurse mungojnë mjetet e domosdoshme për studentë, duke filluar nga kompjuterët.

Madje, sipas tyre, nuk ekzistojnë mundësitë për të praktikuar ushtrimet e caktuara në laborator apo në hapësira tjera ku mund të ushtrohet pjesa praktike.

Për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, ata thonë se pikërisht mungesa e praktikës po ndikon në vështirësi për fillimin e ndonjë pune për të rinjtë kosovarë.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00
Shkarkoje

Labinot Berisha, student në Fakultetin Teknik, thotë se në këtë fakultet mungon praktika dhe mu për këtë, mundësitë për punësim janë më të vogla.

“Kushtet nuk janë të mira, ne nuk e përfundojmë praktikën e nevojshme. Ne kemi të bëjmë me komunikacion dhe nevojitet të mësojmë për vetura ose të ngjashme, pak e fare nuk ka. Pothuajse për çdo lëndë nevojitet praktika, por nuk ka”, thotë Labinoti.

Besnik Zabeli thotë se ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik, por punon si kamerierë në një lokal në qendër të Prishtinës. Besniku dëshiron që gjatë këtij, viti të ketë mundësi të punësohet në profesionin e tij.

“Kam dëshirë të punoj në profesionin tim, sepse kamerier edhe paga është shumë e vogël, mjafton vetëm për nevojat e mia. Ndryshe, si jurist do të ndihesha edhe më komod edhe më i suksesshëm, sepse e dua profesionin”, tregon Besniku.

Se në fakultete të ndryshme mungojnë kushtet elementare për studime, e thotë edhe Besa Gashi, studente në Fakultetin e Arkitekturës:

“Në fakultet mungon edhe literatura, e lëre më kushtet tjera teknike. Studentët duhet vetë të gjejnë mënyra për të përfunduar ndonjë praktikë”.

Kestrin Lushta, i diplomuar në fakultetin Ekonomik, thotë se punësimi varet nga praktika dhe shkathtësia që posedon personi.

“Një ekonomist, i cili ndoshta ka pasur ndonjë biznes familjar, sado të vogël, ka filluar me praktikë dhe ka arritur që të zotërojë edhe biznese tjera, derisa ka ekonomist që nuk ka asnjë firmë”, thotë Kestrini.

Ndërkaq, Naim Berisha, po ashtu student,thotë se problemi qëndron në atë që shumë të rinj studiojnë, por nuk janë të përkushtuar në studime dhe në praktikë:

“Disa studentë e përfundojnë fakultetin sa për të marrë një diplomë dhe normalisht që kur ta merr një punë, ai nuk është i aftësuar për ta kryer punën”.

Në mungesë të kushteve për përfundimin e praktikës, një i ri nga Prishtina ka vendosur që të studiojë në Tiranë. Leotrim Hasani thotë se me dëshirë do të studionte në ndonjë vend të Bashkimit Evropian, por kushtet financiare nuk i kanë mundësuar që të shkojë më larg se në Shqipëri.

“Unë studioj në Tiranë. Mendoj se cilësia e arsimit është më e mirë se në Universitetin e Prishtinës. Por, edhe atje, gjatë studimeve mundësitë janë të limituara për të punuar për shkak të mungesës së përvojës”, thekson Leotrimi.

Ndryshe, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë deklaruar se gjatë këtij viti do të merren masa konkrete për përmirësimin e cilësisë së arsimit.

XS
SM
MD
LG