Ndërlidhjet

Arrestimet afër Manastirit në Deçan, nën hetime


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Të shtunën mbrëma rreth orës 21, në afërsi të Manastirit të Deçanit, Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona për armëmbajtje pa leje.

Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, në të cilën përshkruhet shtetësia dhe përkatësia nacionale e të arrestuarve , si dhe lloji i armëve të konfiskuara gjatë arrestimit.

“Janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj, shqiptarë, shtetas të Kosovës, pasi që gjatë kontrollit në veturën, me të cilën ishin duke udhëtuar, janë gjetur dhe konfiskuar një AK/47 me 20 copë fishekë, si dhe një pistoletë me 16 copë fishekë të kalibrit 9mm. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Megjithatë, arrestimi i personave në afërsi të Manastirit të Deçanit ka nxitur reagime të shumta të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve të Serbisë.

Igumeni Sava Janjiq, i cili drejton Manastirin e Deçanit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka përshkruar momentin e arrestimit të katër personave nga Policia, gjë që sipas tij është regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat janë të vendosura në Manastirin e Deçanit.

“Rreth orës 21, mbrëmë, një automjet i tipit 'Golf', me tabela të Ferizajt, është ndalur para dyerve kryesore të Manastirit të Deçanit. Me një aksion të shpejtë të policisë dhe KFOR-it, ky automjet është verifikuar dhe u janë marrë dokumentet. Ata u panë se ishin të armatosur. Më pas i kanë shtrirë në tokë".

"Ne i kemi krejt video-regjistrimet nga kamerat tona të sigurisë. Ndërkohë, i kemi marrë vesh edhe emrat e të arrestuarve dhe do të kërkojmë që hetimi të zbatohet deri në fund”, ka theksuar igumeni Janjiq, duke shtuar se te të arrestuarit është gjetur edhe, siç e ka quajtur ai, literaturë islamike.

Igumeni Janjiq ka theksuar se katër të arrestuarit, sipas informatave që kanë, janë nga Gjilani, Ferizaj, Prizreni dhe Gjakova. Nga regjistrimet e kamerave që ka parë, Janjiq, ka përshkruar të arrestuarit, duke i cilësuar si “islamistë”.

“Dy prej tyre kanë pasur mjekër të gjatë dhe me mustaqe dhe flokë të rruara, me pantallona të shkurtra, gjë që është vërtetuar në vend të ngjarjes. Janë xhiruar dhe e di që këtë e di Policia dhe KFOR-i".

"Ne i kemi të gjitha fotografitë, por nuk mund ta publikojmë të gjithë materialin për opinionin. Por, mund t’ju them që, në mënyrë definitive, bëhet fjalë për islamistë. Cili ka qenë qëllimi i tyre, këtë le ta verifikojë policia. Ne do t’i presim rezultatet e hetimeve”, ka theksuar igumeni Janjiq.

Manastiri i Deçanit
Manastiri i Deçanit

Ai është shprehur i zhgënjyer me zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët, siç ka theksuar ai, pas një aksionit të shkëlqyeshëm në mbrëmjen e së shtunës, më nuk i kanë kontaktuar fare përfaqësuesit e Manastirit të Deçanit.

Madje, sipas igumenit Janjiq, përfaqësuesit e manastirit nuk kanë mundur fare që t'i kontaktojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës, për shkak se, siç ka thënë ai, ata nuk kanë qenë të qasshëm.

Kjo situatë, sipas tij, shkakton atmosferë të cenimit të mirëbesimit të brishtë. Materialet e regjistruara nga kamerat, sipas igumenit Janjiq, i janë dorëzuar KFOR-it.

Por, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me arrestimin e katër personave.

Megjithatë, ai ka precizuar se përderisa hetimet janë duke vazhduar, rasti nuk mund të ndërlidhet me ndonjë sulm të mundshëm terrorist.

“Policia e Kosovës vlerëson se ky rast ka të bëjë me armëmbajtje pa leje dhe nuk mund të ndërlidhet me ndonjë rast të sulmeve terroriste, përderisa rasti është nën hetime”, ka theksuar Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, lidhur me incidentin e së shtunës afër Manastirit të Deçanit, ka reaguar edhe Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ai u ka thënë medieve serbe se “ky incident tërheq vërejtjen për nevojën që institucionet dhe klasa politike në Prishtinë, të merren me shkaktarët shoqërorë të ekstremizmit fetar”, i cili sipas tij, po e rrezikon të ardhmen e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG