Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës po interesohen që të bëjnë një zgjidhje të përshtatshme për objektin ku do të qëndrojë Gjykata Kushtetuese dhe institucioni i Avokatit të Popullit.
Një vendim i lëshuar nga Ministria e Administratës Publike e Kosovës në vitin 2012, thotë se në objektin ku është aktualisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të vendoset institucioni i Avokatit të Popullit.
Ky vendim deri më tash nuk është zbatuar dhe zyrtarët e ekzekutivit në vend kanë treguar se janë duke e shqyrtuar mundësinë që Gjykatën Kushtetuese të mos e lëvizin nga objekti aktual, i cili ndodhet në lagjen "Pejton" në Prishtinë.
Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yağcilar tha për Radion Evropa e Lirë se nuk duan ta zgjidhin çështjen e Avokatit të Popullit dhe të krijojnë një problem tjetër me Gjykatën Kushtetuese.
Ai po ashtu tha se ministria është duke e shqyrtuar edhe një kërkesë nga Gjykata Kushtetuese, ku kërkohet që njëjti institucion [gjykata] të qëndrojë aty ku është.
"Janë dy institucione të pavarura dhe në këtë aspekt, qeveria nuk mund të veprojë ndryshe. Kërkojmë veprime institucionale nga të gjithë. Në këtë moment, mundësitë për t'iu përshtatur kërkesave të Avokatit të Popullit, janë të kufizuara. Nga aspekti tjetër kemi kërkesën e Gjykatës Kushtetuese, që ndoshta është e arsyeshme", tha ministri Jagcilar.
Gjetja e një objekti të përshtatshëm për vendosjen e Institucionit të Avokatit të Popullit është edhe një nga kushtet për plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave.
Komisioni Evropian ka kërkuar që këtij institucioni t'i sigurohet një objekt i mjaftueshëm për kryerjen e punëve dhe një qasje e lehtë për qytetarët me nevoja të veçanta.
Majlinda Sinani Lulaj, udhëheqëse e zyrës për marrëdhënie me publikun dhe mediet e Institucionit të Avokatit të Popullit, tha për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje të një përgjigjeje nga institucionet kompetente për gjetjen e një objekti të përshtatshëm për këtëinstitucion.
"Ne nuk kemi ndonjë shkresë tjetër zyrtare e cila do të tjetërsonte apo zhbënte vendimin e viti 2012 të Ministrisë së Administratës Publike, me të cilin objekti ku aktualisht është Gjykata Kushtetuese i është ndarë institucionit të Avokatit të Popullit, për tu vendosur në momentin kur Gjykata Kushtetuese akomodohet në Pallatin e Drejtësisë".
"Sipas informacioneve tona, aty thashmë një aneks i veçantë i është përgatitur Gjykatës Kushtetuese, sipas kërkesave të saj, me të gjitha premisat e nevojshme", tha Lulaj.
Ajo shpjegoi se në objektin ku janë aktualisht paguajnë mijëra euro për qira, dhe si pasojë e hapësirës së kufizuar, shumë punë mbesin të papërfunduara.
"Ne mbesim me shpresë se për institucionin e Avokatit të Popullit do të ketë hapësirë publike të përshtatshme dhe natyrisht, hapësire e cila plotëson kriteret bazike, duke pasur parasysh edhe qasjen e lehtë nga personat me nevoja të veçanta", tha ajo.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka përcaktuar misionin e Avokatit të Popullit për të marrë dhe për të hetuar ankesa nga çdo person në Kosovë, që pretendon se i janë shkelur të drejtat nga autoritetet publike në Kosovë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton rolin dhe kompetencat e Avokatit të Popullit për të mbikëqyrur dhe mbrojtur të drejtat dhe liritë e personave fizikë dhe juridikë nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të autoriteteve publike.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës është themeluar në janar të vitit 2009. Me autoritetin e saj për shqyrtimin e legjislacionit dhe kërkesave individuale për shkeljet e të drejtave, Gjykata është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë dhe është arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.