Ndërlidhjet

Kosova i shpallë të përmbushura kriteret - pret liberalizimin


Ilustrim
Ilustrim

Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane thonë se Kosova tashmë ka përmbushur kriteret e fundit teknike për liberalizimin e vizave, të kërkuara nga Komisioni Evropian, ndërsa shpresojnë që në ditët në vazhdim të marrin vlerësim pozitiv për përmbushjen e këtyre kritereve.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar se në cilën fazë të përmbushjes së kritereve për liberalizim janë institucionet e Kosovës.

"Duke iu referuar raportit të fundit të Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave, mund të konstatoj se jemi në fazën krejtësisht përfundimtare të këtij procesi”.

“Kjo nënkupton që edhe ato tetë rekomandime, të cilat kanë qenë të reflektuara në raportin e fundit si të plotësuara pjesërisht, tashmë janë përmbushur plotësisht nga institucionet e Republikës së Kosovës", tha Çollaku.

Ministri Çollaku tha po ashtu se Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë të bindura që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e parapara me udhërrëfyes, më shumë se çdo shtet tjetër që ka kaluar nëpër të njëjtin proces.

"Ajo çka ka mbetur tani të vihet në praktikë është dhënia e rekomandimit formal nga ana e Komisionit Evropian, i cili patjetër duhet të bëhet edhe me mbështetjen dhe vullnetin politik të të gjitha shteteve anëtaret të Bashkimit Evropian”.

“Mirëpo, unë jam i sigurt që në rastin e Kosovës ka vullnet të mjaftueshëm politik që të përmbyllet ky proces dhe që Kosova në asnjë mënyrë të mos jetë, si të thuash, një dëm anësor kolateral i krizës së madhe të refugjatëve që ka përfshirë Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së", theksoi Çollaku.

Nga ana tjetër, Dren Doli, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i liberalizimit të vizave nuk është vetëm një proces teknik, por edhe një proces i rëndësishëm politik.

"Procesi i liberalizimi të vizave në Kosovë, që nga fillimi, është keqkuptuar dhe është menduar që në tërësi është proces teknik dhe varet nga përmbushja e kushteve nga ana e Qeverise së Kosovë”.

“Natyrisht që përmbushja e kushteve është një kriter themelor për procesin e liberalizmit të vizave, por menaxhimi i këtij procesi politikisht është kushti qenësor që u ka mundësuar gjitha vendeve të tjera të rajonit marrjen e liberalizimit të vizave", tha Doli.

Për më tepër, Doli konsideron se institucionet e Kosovës nuk duhet të thirren vetëm në atë se janë përmbushur kriteret dhe të presin se çka mund të vijë në vazhdim, por, siç thotë ai, punët ende duhet vazhduar, në mënyrë që liberalizimi i vizave të mos vonojë.

"Qeveria e Kosovës nuk duhet të mjaftohet që t’i raportojë si të përmbushura 8 kriteret teknike, të cilat janë dhënë në raportin e fundit, por duhet shkojë përtej kësaj, duke filluar një lobim intensiv në vende kryesore të Bashkimin Evropian, dhe natyrisht me grupet parlamentare brenda Parlamentit Evropian", tha Doli.

Komisioni Evropian, më 18 dhjetor të vitit 2015, ka publikuar raportin e tij të fundit për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës për vitin 2016, në të cilin janë vlerësuar përparimet e arritura në përmbushjen e kritereve.

Por, në raport janë nënvizuar gjithashtu edhe kriteret që kishin mbetur për t’u përmbushur. Kosova kishte gjithsej 95 detyrime për të përmbushur.

Me qëllim të vlerësimit të përmbushjes së kritereve të fundit dhe progresit të arritur, Komisioneri për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos, gjatë muajit shkurt pritet ta vizitojë Kosovën , kanë bërë të ditur zyrtarë të e Ministrisë së Integrimit Evropian në Kosovë.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian, edhe me anë të një peticioni, që t’i trajtojë qytetarët e Kosovës ashtu si i ka trajtuar vendet e tjera të rajonit, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Ndërsa krerët e institucioneve të Kosovës, qytetarëve të vendit u kanë premtuar liberalizim të vizave që nga viti 2010.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG