Në Mitrovicën e veriut, 378 pjesëtarë të ashtuquajturës “Mbrojtjes civile” kanë nënshkruar kontratat për marrëdhënie pune me institucionet e Kosovës, përkatësisht me ministritë e ndryshme të Qeverisë së Kosovës.
Deri më tash ata kanë vepruar në kuadër të strukturave të Serbisë në veri të Kosovës, e që nga institucionet e Kosovës janë konsideruar jolegale.
Nënshkrimi i këtyre kontratave ka ndodhur në Zyrën administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, shefja e kësaj zyre, Adrijana Hoxhiq.
“Do të thotë, 378 persona janë shpërndarë të hënën nëpër sektorë të ndryshëm, në kuadër të institucioneve të sistemit të Kosovës. Unë po shpresoj që tash e tutje 378 familje do të kenë të ardhura të rregullta përmes sistemit të Kosovës”, ka thënë Hoxhiq.
Më herët, kontrata të ngjashme i kanë nënshkruar rreth 100 pjesëtarë të së ashtuquajturës “Mbrojtje civile”.
Përmes një komunikate për medie, ministrja e Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, ka theksuar se personat që kanë nënshkruar kontratat të hënën, “do të jenë të përfshirë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës që nga 1 janari 2016” dhe se “tash është radha te Serbia që t’i ndalë pagat për këta pjesëtarë dhe të shfuqizojë ligjërisht këtë strukturë jolegale”.
Sipas saj, e gjithë kjo ka qenë e paraparë me marrëveshjen nga dialogu i Kosovës me Serbinë, në mars të vitit 2015, dhe se “ky është një hap shumë i rëndësishëm në shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të vendit”.
Institucionet e Kosovës me vite kanë bërë përpjekje për t’i shuar strukturat paralele të Serbisë në Kosovë.
Bajram Gecaj, nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se integrimi i pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje civile” në institucionet e Kosovës, është vetëm një hap i radhës në drejtim të shuarjes së këtyre strukturave.
“Ne kemi pasur edhe të strukturave gjyqësore dhe policore. Kemi pasur sukses të plotë në inkuadrimin e policisë në Policinë e Kosovës. Tash nuk ekziston më strukturë policore. E njëjta është edhe në gjyqësi. Pra, këta janë hapa të vazhdueshëm. Por, shuarja e plotë e strukturave paralele do të ndodhë atëherë kur të materializohet Asociacioni (i komunave me shumicë serbe)”, ka thënë Gecaj.
Rangjel Nojkiq, njohës serb i zhvillimeve në Kosovë, i cili vjen nga pjesa qendrore e vendit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se integrimi i pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje civile” është zgjidhje e mirë dhe se kjo do të kontribuojë në uljen e tensioneve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por edhe ndërmjet veriut të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës.
Ai pret që deri në fund të këtij viti të integrohen edhe pjesëtarët e strukturave të tjera të Serbisë, të cilat ende veprojnë në Kosovë, me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ato ekzistojnë dhe do të ekzistojnë deri në momentin që nuk do të zgjidhet çështja e statutit të Asociacionit të komunave serbe. Kur të zgjidhet statuti i Asociacionit, ato organe të përkohshme do të shuhen”.
“Supozoj se kjo është mënyra për ta zgjidhur këtë problem. Pra, kjo është mënyra se si duhet të bëhet transferimi; që ata njerëz që kanë punuar në ato institucione, dalëngadalë të transferohen në institucionet e Kosovës, ndërkohë që Asociacioni është institucion i Prishtinës”, ka theksuar Nojkiq.
Ndërsa, Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut të Kosovës nga radhët e kundërshtuesve të integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se e gjithë kjo që po ndodhë, nënkupton që serbët po pranojnë të bëhen pjesë e Republikës së Kosovës dhe se Serbia po heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj.
Sipas tij, integrimi i “Mbrojtjes civile” është vetëm fillim i integrimit.
“Ky është vetëm edhe një gur në ndërtimin e Kosovës së pavarur, të cilën qeveria e tashme serbe po e bën. Njerëzit e kanë pranuar. Në qoftë se i ka hequr qafe vendi amë, atëherë njerëzit nga diçka duhet të jetojnë, në rast se i njëjti vend amë ju premton se kjo nuk është asgjë e keqe, që kjo nuk nënkupton njohjen e Kosovës, gjë që është mashtrim”.
“Njerëzit kanë pranuar për shkak të ekzistencës materiale. Ndërmjet patriotizmit dhe mbijetesës, njerëzit kanë zgjedhur mbijetesën. Njëjtë do të ndodhë edhe me policinë, me shëndetësinë dhe me arsimin”, ka theksuar Jakshiq.
Sipas deklaratave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, të cilët janë integruar, janë akomoduar nëpër sektorë të ndryshëm të Qeverisë së Kosovës, si dhe në institucione e agjenci publike.