Ndërlidhjet

2015-ta, vit i aferave dhe krizave të mëdha në Maqedoni


Kumanovë, 9 maj 2015
Kumanovë, 9 maj 2015

Viti 2015 vlerësohet si ndër më të rëndët për Maqedoninë, që nga konfliktit i armatosur i vitit 2001.

Afera e përgjimeve, aksioni policor në Kumanovë, protestat kundër rastit “Monstra“, bllokimi i procesit integrues, bllokimi i punës së institucioneve, janë vetëm disa nga ngjarjet që kanë tronditur Maqedoninë gjatë këtij viti.

Por, afera e përgjimit të bisedave telefonike të zyrtarëve që u publikua nga opozita në fillim të muajit shkurt, ka nxitur krizën më të madhe politike që detyroi ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje që pritet të rrumbullakohet me dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski, në ditët në vijim.

Afera e përgjimeve, sipas njohësve të çështjeve politike, ka nxitur edhe incidentin e armatosur në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ndërmjet policisë dhe një grupi të armatosur që prezantohej si Ushtria Çlirimtare Kombëtare, e që përfundoi me një bilanc tragjik, me 18 të varë dhe rreth 30 të arrestuar, shumica shtetas të Kosovës, që tani po gjykohen për terrorizëm.

“2015-ta është vit i kulmimit të krizave të akumuluara, kulmim i cili solli vendin në një ngërç të madh politik, shumë të madh apo gati të njëjtë me atë që kishim në vitin 2001, me tendencë që ky ngërç të reflektojë edhe më tepër edhe në aspektin e sigurisë. Patëm rastin e Kumanovës, që rrezikonte vendin të futej në spirale të re të dhunës, rrezik i cili ende nuk është evituar“, thotë analisti Xhelal Neziri.

Sipas Nezirit, rasti i Kumanovës erdhi si pasojë e aferës së përgjimeve, një skandal me përmasa të papara në ndonjë vend tjetër.

“Me qëllim zhvendosjen e vëmendjes nga ky skandal, edhe u inskenua incidenti në Lagjen e Trimave të banuar me shqiptarë në Kumanovë“, shton Neziri, sipas të cilit, përmbajtja e bisedave të përgjuara të zyrtarëve të lartë duhet të shërbejë për një perceptim më të mirë të qytetarëve për institucionet.

“Është një aferë, e cila hapi shumë çështje në Maqedoni, hapi çështjen e qeverisjes, korrupsionit, të manipulimit të opinionit, e kështu me radhë. Mendoj se nga kjo aferë Maqedonia dhe qytetarët e saj do të kenë mundësi që më mirë të perceptojnë dhe të marrin qëndrime lidhur me fenomene të caktuara shoqërore, lidhur me politikën që bëhet pas kësaj afere. Pra, është një aferë, e cila ndoshta edhe ka sjellë dobi në drejtim të perceptimit të institucioneve, të politikës dhe marrjes së qëndrimit kolektiv ndaj tyre“, thekson Neziri.

Edhe analisti politik maqedonas, Petar Arsovski, thotë se viti 2015 ishte shumë i rëndë për Maqedoninë, me kriza politike nga më të ndryshme që nuk ishin regjistruar më parë.

“2015-ta ishte ndër vitet më të rënda për Maqedoninë pasi kriza permenante politike, në të cilën ndodhet shteti, arriti kulmin gjatë këtij viti. Pjesa më e madhe e institucioneve nuk funksionuan, si Kuvendi, gjykatat, mediet e kështu me radhë. Kishim aferën e përgjimeve, që thelloi si asnjëherë më parë dallimet mes partive. Partitë dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth përmbajtjes së këtyre bisedave, të cilat megjithatë dëshmuan se drejtuesit e institucioneve janë përfshirë në veprimtari të paligjshme“, thotë Arsovski.

Ai ndalet edhe në aspektet të sigurisë, në veçanti në aksionin policor në Kumanovë dhe raportet ndëretnike.

Arsovski thotë se ky rast, për të cilën në opinion u tha se ka qenë i orkestruar nga pushteti për të larguar vëmendjen nga afera e përgjimeve, nuk i ka lëkundur raportet ndëretnike, por ato, sipas Arsovskit, mund të prishen nga ngecjet në procesin e integrimit euroatlantik të vendit.

“Maqedonasit dhe shqiptarët kanë vizione të ndryshme për atë se në çfarë drejtimi duhet të ecë shteti në vitet në vijim. Shqiptarët dëshirojnë integrimin në NATO dhe BE dhe për arritjen e këtij qëllimi, ata janë të gatshëm të pranojnë kompromisin për çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa maqedonasit janë të gatshëm të heqin dorë nga integrimi euroatlantik vetëm për të mos ndryshuar emrin".

"Kemi të bëjnë me dallime të mëdha, të cilat vazhdimisht prodhojnë tensione etnike. Se a do të përshkallëzohen në ndonjë përplasje serioze, mbetet të shihet“, thotë Arsovski duke u shprehur pesimist sa i përket zhvillimeve për vitin 2016.

“Unë nuk jam ndonjë optimist i madh se të gjitha këto sfida do të ndryshojnë gjatë vitit 2016, pasi procesi i cili është në rrjedhë e sipër, nuk ka as mandat e as fuqi për të ndryshuar gjërat".

"Mendoj se ndryshime thelbësore nuk do të ketë dhe se të gjitha proceset do të mbeten aty ku janë, me një shoqëri të ndarë si në sferën politike, ashtu edhe në atë etnike, sociale, ekonomike e kështu me radhë“, konsideron Arsovski, duke paralajmëruar vazhdimin e përplasjeve edhe sa i përket zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që duhet të mbahen në prill të këtij viti.

Ndryshe nga Arsovski, analisti Xhelal Neziri pret që viti 20016 të sjellë ndryshime, pasi në të kundërtën, sipas tij, pasojat do të jenë edhe më të mëdha se viti që lamë pas.

“Mendoj se viti 2016 duhet patjetër të sjellë një stabilizim të institucioneve, një gjyqësi të dekriminalizuar, një politikë të dekriminalizuar dhe institucione që do të jenë në funksion të qytetarëve. Nëse do të vazhdojë ngërçi politik, nëse do të vazhdoj kjo mënyrë e qeverisjes dhe e ushtrimit të pushtetit, unë mendoj se viti 2016 do të jetë ende më i tensionuar se sa ky vit që e lamë pas“, përfundon analisti Xhelal Neziri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG