Ndërlidhjet

Një propozim-ligj për “bombat”, thellon krizën në Maqedoni


Shkup
Shkup

"Tentim për vendosjen e censurës së përgjithshme në vend", kështu partitë opozitare dhe drejtuesit e shoqatave të mediave në Maqedoni, e cilësojnë propozim-ligjin e partive në pushtet për ndalimin e publikimit të përmbajtjes së bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë.

Kryetari i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev ka akuzuar partitë në pushtet për tentim për të mashtruar opinionin me pohimet se gjoja propozimi ishte pjesë e marrëveshjes politike.

“Propozimi me të cilin parashihet ndalimi i publikimit të “bombave“ është katastrofal, censurë. Diçka të tillë nuk ka as një regjimet më të rrepta. Në bisedimet për marrëveshjen politike është biseduar edhe për këtë çështje, por asessi për miratimin e një ligji të tillë, por për rregullimin e gjithë materies, për mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve, që të mos bëhen shkelje ligjore apo përgjime të paligjshme".

"Dëshmitarët e kësaj janë përfaqësuesit ndërkombëtarë në bisedime“, ka deklaruar Zaev, duke theksuar vendosmërinë e opozitës për vazhdimin e publikimit të bisedave të reja nëse pushteti mbetet në qëndrimin për miratimin e një ligji të tillë ndalues.

Opozita pretendon se ligji i tillë tentohet të miratohet pas njohurive të partive në pushtet se në mesin e bisedave të përgjuara ka edhe materiale komprometuese për zyrtarë të shumtë të partive në pushtet.

Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja, ka thënë se propozim-ligji do të tërhiqet për tu përpunuar duke mos përjashtuar mundësinë e ndryshimit të tekstit me amendamente.

Ai ka thënë se ky ligj do të miratohet në seancën e njejtë se bashku me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Në formën e tanishme, propozimi parasheh ndalimin e publikimit të çdo materiali nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, ndërsa mediat që posedojnë materiale të tilla urdhërohen që t’i mënjanojnë nga arkivat e tyre.

Propozimi ndalon publikimin e tyre edhe në rrjetet sociale dhe për çdo shkelje eventuale parashihet dënim me 4 vjet burg.

Nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë, thonë se një propozim i tillë nuk është gjë tjetër pos përpjekje për vendosjen e censurës nga ana e partive në pushtet.

SHGM-ja vlerëson se veprimet e tilla do të rëndojnë edhe më shumë gjendjen e mediave edhe atë në kohën kur me marrëveshjen politike po diskutohen edhe çështja e garantimit të pavarësisë së mediave.

“Me një propozim të tillë skandaloz pushteti tenton që të eliminoj lirinë e shprehjes dhe gazetarëve t'u imponoj se çfarë munden të publikojnë në opinion e çfarë jo. Me këtë propozim shkilet Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, nënshkruese e të cilës është edhe Maqedonia, me të cilën garantohet liria e shprehjes".

"Gazetarët janë të obliguar të publikojnë informacione që përmbajnë keqpërdorime të mundshme nga bartësit e funksioneve publike. I bënë thirrje partive politike që t'i japin fund prakikës së këtillë të veprimit e cila mund vetëm të përkeqësojë edhe më shumë gjendjen në të cilën ndodhen mediat“, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve.

Reagime të ashpra vijnë edhe nga njohësit e çështjeve juridike, sipas të cilëve, me propozimin e partive në pushtet shkelet në mënyrë flagrante kushtetuta e Maqedonisë.

“Nëse ky propozim bëhet ligj atëherë vlerësoj se do të jetë ligji më morbid i miratuar që nga pavarësia e Maqedonisë, 24 vjet më parë. Me një zgjidhje të tillë shkilet në mënyrë flagrante kushtetuta e Maqedonisë, të drejta dhe liritë e shprehjes të garantuara me nenin 16 të kushtetutës".

"Propozimi është skandaloz pasi të gjithe neve na detyron lëre më të flasim, por edhe të harrojmë gjithë atë që kemi dëgjuar nga bidedat e përgjuara telefonike, sikur të mos ketë ndodhur asgjë“, thotë Svetozar Shkariq, një nga profesorët më të njohur të drejtës kushtetuese në Maqedoni.

Ndryshe, propozim-ligji i partive në pushtet për ndalimin e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike është reflektuar edhe në bisedimet për zbatimin e marrëveshjes politike.

Pas prokurorit special, Kuvendi duhet të miratojë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në bazë të të cilave do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 24 prill të vitit të ardhshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG