Ndërlidhjet

Kriza politike prodhon parti të reja


Kriza politike në Maqedoni si asnjëherë më parë ka nxjerrë në sipërfaqe parti të reja politike të cilat vlerësojnë se tani është momenti i duhur për imponimin e tyre si opsioni i tretë politik.

Kjo, në veçanti vjen në shprehje tek shqiptarët të cilët brenda një periudhe të shkurtër kanë nxjerr dy parti të reja dhe disa të tjera si fraksione të dala nga partitë ekzistuese, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Madje, lëvizja “Besa“ një subjekt i ri ka dal me propozimin për formimin e një këshilli mbipartiak opozitar që do të kishte si qëllim bashkimin e të gjitha partive të reja për të mposhtur, siç thuhet, “partitë kriminalizuara aktuale të cilat qëllim parësor në veprimtarinë e tyre kanë interesat personale“.

“Lëvizja “Besa“ i qaset kësaj iniciative me vullnet që të artikulohet dhe mobilizohet sa më fuqishëm zëri opozitar, pa pretendime të veçanta për përfitime të kujtdoqoftë.

Jemi në gjendje të bashkëpunojmë me secilin, kushdoqoftë ai, mjafton ta ketë këtë ideal dhe këtë dëshirë“, ka deklaruar Bilall Kasami, nga Lëvizja “Besa“.

Partitë aktuale BDI dhe PDSH kanë thënë se nuk i tremben konkurrencës partiake, por sipas tyre, lindja e partive të reja do të dëmtonte votën e elektoratit shqiptar pasi paraqitja e më shumë partive do të reflektohej në përfaqësimin me mandate në Kuvend.

Njohësit e çështjeve politike thonë se subjektet e reja politike janë pasojë e partive aktuale, që sipas,

Mersel Bilalli, profesor në Universitetin FON të Shkupit, kanë devijuar nga programet e tyre ndërsa shumë prej anëtarëve të tyre janë përfshirë në veprimtari kriminale, siç thotë ai.

“Unë mendoj se kjo është rezultat i dështimit të strukturave partiake që kanë qenë pjesë e pushtetit, por edhe të atyre që janë pjesë e opozitës dhe natyrisht se e gjithë kjo rezulton me fragmentarizëm të ri. Mendoj se është një proces shumë normal dhe unë nismat e tilla i mbështes, por me kusht që të gjitha të bashkohen në një strukturë të përbashkët opozitare për ndryshime të mundshme“, thekson Bilalli.

I pyetur nëse partitë e reja mund të bashkohen në një frontë duke marrë parasysh dallimet që janë paraqitur ende pa u konsoliduar dhe kundërshtimet që mund të vijnë nga partitë nga partitë e skenës aktuale politike, Bilalli u shpreh.

“Vlerësoj se subjektet që janë pjesë e pushtetit, flas për partitë shqiptare qoftë në pushtet apo opozitë, janë shumë të devalvuara deri në fund dhe obstruksionet e tyre nuk besoj se do të jenë shumë të suksesshme".

"Unë mendoj se pa marrë parasysh dallimin konceptuale mes subjekteve, apo lëvizjeve të reja, të gjitha ato duhet të bashkohen në një ide, në një strukturë të përgjegjshme funksionale dhe të pa korruptuar. Mendoj se këtu ato mund ta gjejnë konsensusin“, thotë Bilalli

Lëvizje të reja politike janë paraqitur edhe tek maqedonasit. Subjekt me karakter qytetar ka paralajmëruar ish kryetari i Shkupit, Trifun Kostovski, por edhe aktivistët e lëvizjes majtiste “Solidariteti“.

“Për momentin lëvizja e majtë "Solidariteti“ mendon formimin e një partia për të përfaqësuar kategorinë më të varfër të qytetarëve dhe klasë punëtore. Të gjithë në Maqedoni kanë partitë e tyre, të pasuritë kanë dhjetë e më shumë parti, shqiptarët kanë parti, maqedonasit po ashtu, sikur edhe turqit, romët e të tjerët, por vetëm qytetarët e varfër të Maqedonisë nuk kanë partinë e tyre“, thotë kreu i lëvizjes, Zdravko Savevski.

Ai thotë se është i bindur se partitë e mëdha do të bëjnë gjithçka të mundur që përmes ndryshimeve në kodin zgjedhor të pengojnë partitë e vogla politike.

Zhvillimet e këtilla në skenën politike priten edhe në të ardhmen ndërkohë që vazhdojnë bisedimet mes partive për zbatimin e marrëveshjes politike që parasheh përgatitjen e terrenit për zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill të vitit 20016.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG