Ndërlidhjet

Qytetarët me shumë dëshira dhe skepticizëm për 2016-ën


Ilustrim
Ilustrim

Paqja, qetësia dhe stabiliteti, zhvillimi ekonomik, siguria dhe sinqeriteti më i madh nga politikanët, janë ato që disa qytetarë, shqiptarë dhe serbë, të Prishtinës dhe Mitrovicës së veriut, shpresojnë të ndodhin gjatë vitit 2016.

Megjithatë, shumica nga ta, në masa të ndryshme, nuk shprehin shumë optimizëm që pritjet e tyre mund të realizohen.

Në Prishtinë, qytetarët thonë se është e nevojshme që perspektiva të jetë më e sigurt për të rinjtë dhe fëmijët, si dhe dëshira e tyre është kjo të nis në vitin 2016.

Ramë Zogaj, thotë se gjatë vitit 2016 pret që në Kosovë të shënohen përparime, ndonëse, sipas tij, përparimet e tilla mund t’i bëjnë qytetarët individualisht, por edhe së bashku, duke ndikuar tek institucionet qeveritare, për një orientim, sipas tij, më pozitiv.

“Ne, edhe po t’i duam ato që na pëlqejnë, i bëjmë vet. Por, domosdo presim një përmirësim të gjendjes ekonomike dhe në të gjitha fushat. Qytetarët e Kosovës janë ata që e ndihmojnë qeverinë. Gjithsesi, populli është ai që e detyron qeverinë që të ecë drejt asaj rruge, që të punojë, që të arrijë kulmin e zhvillimit ekonomik. Unë jam optimist deri në pikën e fundit”, tha Zogaj.

Ahmet Shala, thotë se pret që gjatë vitit 2016, të hapen më shumë mundësi për të rinjtë, si dhe perspektivë pas shkollimit.

“Për vitin e ardhshëm, më shumë suksese në karrierë. Në fakultet kemi më shumë pritje dhe për gjëra tjera të mira, si kushte më të mira që të zhvillohet sporti, palestra për të rinj ku mund ta kalojmë kohën e lirë. Të ketë perspektivë shkollimi, sepse ai është objektivi jonë kryesor, për t’u punësuar në të ardhmen”, deklaroi Shala.

Afërdita Zeqiri, thotë se pret që gjatë vitit 2016 të ketë më shumë qetësi dhe stabilitet në vend.

“Nuk punoj në qeveri, që të pres të rriten pagat apo diçka të tillë, por pres qetësi, stabilitet dhe rehati. Kjo na duhet nga politika dhe nga njerëzit në përgjithësi. Do të thotë, një qasje më e mirëfilltë prej politikës dhe shpresoj edhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tonë”, tha ajo.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00
Shkarkoje

Faton Beka, thotë se tash e 15 vjet, qytetarët në Kosovë kanë pritur përmirësim të jetës së tyre dhe zhvillimeve në përgjithësi, por sipas tij, kjo nuk ka ndodhur. Ai është mjaft pesimist se gjërat mund të ndryshojnë edhe në vitin 2016.

“Nuk shpresoj që do të ndodhë ndonjë risi shumë e madhe. Është dashur të ndodhë moti. Kemi qenë në luftë dhe 5 apo 6 vjet ka kaluar disi popullata e Kosovës. Pas 6 vjetësh është dashur të ndryshojë gjithçka, por nuk ka ndodhur asgjë. Janë bërë 15 vjet dhe janë duke e udhëhequr pushtetin disa njerëz që prej tyre nuk mund të pritet asgjë. Kushdo që vjen në pushtet, ai punon vetëm për interesa të veta”, shtoi Beka.

Hana Voca, pret që gjatë vitit 2016, të ketë gjëra më të bukura, të paktën për fëmijët.

“Unë personalisht, pasi që jam nënë, pres të ardhme më të mirë për fëmijën tim, por edhe për fëmijët tjerë. Në aspektin financiar, ka plot prind që nuk punojnë dhe kanë fëmijë, e fëmijët kanë kërkesa. Gjithashtu edhe në aspektin e politikës, pak më tepër sinqeritet të kenë politikanët ndaj nesh. Kjo hallakamë e fundit që ndodhi në qeveri dhe parlament, për mua me tepër ka qenë luftë për pushtet se sa luftë për të mirën e qytetarit”.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:08 0:00
Shkarkoje

Në Mitrovicën e veriut, qytetarët serbë thonë se në vitin 2016 dëshirojnë një të ardhme më të mirë, të cilën e shpresojnë, por janë skeptik se kjo mund të ndodhë.

Dushan Jankoviq, thotë se njeriut të thjeshtë i mungon shumëçka, të cilat dëshiron t’i ndodhin secilin vit.

“Së pari, i mungon shëndeti, për shkak të jetës me stres, me të cilin jeton tash e shumë vite. Ç’farë mund të dëshirojë njeriu? Nuk mund të përmirësohet diçka që me vite është bërë keq. Duhet të kalojë shumë kohë që ta kthejmë përparimin, në të gjitha fushat".

"Gjithçka është ç'rregulluar. Po të pyeteshim në njerëzit e thjeshtë, nuk do të arrihej deri këtu. Unë pres që të bëhet më mirë dhe të fillohet që të punohet diçka në Mitrovicë, në veri dhe në jug, sepse nga tregtia dhe kontrabanda nuk mund të jetohet”, tha Jankoviq.

Jelena Stankoviq, thotë se dëshiron të jetë optimiste që gjërat në vitin 2016 do të marrin kahje pozitive, por megjithatë, nuk është.

“Nuk pres asgjë pozitive dhe nuk pres ndonjë ndryshim. Do të dëshiroja që të mund të besoj për ndonjë ndryshim, sepse e kemi pasur rastin për diçka të tillë. Ka pasur mjaft shanse po i kemi lëshuar të gjitha. Ajo për të cilën unë shpresoj se do ta sjellë viti 2016, është zgjidhja përfundimtare për veriun e Kosovës, në formën e një autonomie apo qoftë edhe t’i bashkohet shtetit të pavarur të Kosovës".

"Por, mbajtja edhe më tutje e kësaj status quo-je në hapësirën e Mitrovicës së veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, vërtetë është e padurueshme”, u shpreh Stankoviq.

Marko Kostiq, pret që gjatë vitit 2016, njerëzit t’i thërrasin arsyes dhe të mos bëjnë gabime që nuk përmirësohen.

“Çfarë të them, pak më shumë mend në kokë. Së pari ta kemi shëndetin, të jemi gjakftohtë, të mos nxitohemi dhe të bëjmë gabime të shpejta dhe fatale, për të cilat fëmijët tanë nesër do të na mallkonin. U dëshiroj të gjithëve gjitha të mirat, shumë shëndet, më shumë gëzime dhe liri”, theksoi Kostiq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG