Ndërlidhjet

Tensionet Ankara-Moskë vazhdojnë të përshkallëzohen


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur pikëllimin e tij për rrëzimin e një aeroplani luftarak rus nga forca turke.

“Jemi shumë të pikëlluar për incidentin. Do të donim që të mos kishte ndodhur, por ka ndodhur. Shpresoj që diçka e tillë të mos ndodhë përsëri”, ka thënë Erdogan para mbështetësve të tij në provincën Balikeshir.

Megjithatë, Erdogan sërish ka mbrojtur veprimin e Turqisë dhe ka kritikuar Rusinë për veprimet e saj në Siri.

Rusia, qysh më 30 shtator, është duke kryer sulme ajrore në Siri, në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad.

Turqia, ashtu si edhe vendet perëndimore, duan largimin e Assadit nga pushteti, ndërsa Rusia thotë se për fatin e tij duhet të vendosë populli sirian.

Erdogan sërish i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të takohen në margjina të një samiti për klimën, që do të zhvillohet javën që vjen në Paris. Por, Erdogan nuk ka kërkuar falje për incidentin.

Rrëzimi i aeroplanit rus, më 24 nëntor në kufirin Turqi-Siri, ka shkaktuar kundërpërgjigje të fuqishme nga Moska.

Autoritetet ruse kanë kufizuar udhëtimet turistike, kanë bllokuar kamionët turq në kufi dhe kanë filluar të përgatisin sanksione më të gjera ekonomike.

Një zëdhënës i Kremlinit ka thënë sot se incidenti ka dëmtuar marrëdhëniet dypalëshe që vështirë do të riparohen.

Po sot, Turqia ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për shtetasit e saj, i cili kërkon shtyrjen e udhëtimeve jo-urgjente dhe të panevojshme në Rusi.

Ministria e Jashtme e Turqisë ka thënë se paralajmërimi është lëshuar sepse udhëtarët turq po përballen me “probleme” në Rusi.

Ministria ka thënë se planet e udhëtimit duhet të shtyhen “derisa situata të bëhet e qartë”.

Të premten, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska do të pezullojë regjimin pa vizia me Turqinë nisur nga data 1 janar.

Lavrov ka akuzuar Turqinë se është bërë kanal për terrorizmin.

Autoritetet turke kanë thënë se kanë rrëzuar avionin rus pasi ai ka hyrë në hapësirën ajrore të Turqisë.

Një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Moska, e cila ka thënë se avionët turq kanë rrëzuar aeroplanin e saj pa paralajmërim.

Presidenti rus, Putin, ka akuzuar Ankaranë për “provokim të planifikuar” dhe ka thënë se incidenti është “thikë pas shpine”.

Turqia dhe Rusia deri më tash kanë pasur lidhje të mira ekonomike. Rusia është partneri i dytë më i madh tregtar i Turqisë, ndërsa mbi tre milionë turistë rusë kanë vizituar Turqinë vitin e kaluar. (v.tela)

Lexoni edhe këtë:

A mund të bëjnë kompromis Putini dhe Erdogani?

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG