Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shpeshherë duken si reflektim pasqyror të nacionalistit të fuqishëm dhe autoritar.
Kjo mund ta vështirësojë gjetjen e kompromisit ndërmjet tyre lidhur me rrëzimin e aeorplanit luftarak rus nga ana e Frocës Ajrore të Turqisë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan, mund të përshkruhen në mënyrë pothuajse identike, pasi në shumë mënyra ata janë tejet të ngjashëm.
U ngritën në pozitë të lartë duke premtuar që vendeve të tyre do t’ua kthejnë famën dhe vlerat tradicionale të së kaluarës.
Janë autoritarë dhe opozitën nuk e tolerojnë me dëshirë. Ata janë shndërruar në simbole të pagabueshme të vendeve të tyre, duke e shndërruar udhëheqjen e vendeve të tyre në një çështje intensive personale.
Për vite të tëra ngjashmëritë ndërmjet Putinit dhe Erdoganit si liderë të fuqishëm dhe autoritarë, duket se e kishin bërë të lehtë për ata që ta kuptojnë njëri-tjetrin.
Tash, po këto karakteristika mund ta vështirësojnë komproimisin eventual ndërmjet tyre lidhur me rrëzimin e aeroplanit luftarak rus më 24 nëntor.
Simpatia kthehet në armiqësi?
Gjatë dekadës së kaluar, Putin e ka lavdëruar Erdoganin si “njeri me karakter të fuqishëm”.
Në shtator të vitit të kaluar, Erdogani e ka vizituar Moskën për ta ndihmuar liderin rus në hapjen e njëres prej xhamive më të mëdha në Evropë.
Tash, megjithatë, simpatia e së kaluarës ndërmjet dy liderëve duket, me shumë gjasë, se do të kthehet në armiqësi.
“Nëse ekziston lidhja e Carit me Putinin, atëherë Erdogani është Sulltan”, ka shkruar gazetari turk, Hilmi Toros, në vitin 2009.
Ka shumë shenja se të dy liderët kanë karaktere absolute dhe ata qartas kanë treguar se këtë e kanë thelluar me vitet e gjata në pushtet.
Nostalgjia perandorake
Putin efektivisht ishte në postet më të larta për 16 vjet, ndërsa Erdogani për 12 vjet.
“Të dy ata e kanë ndjenjën e nostalgjisë perandorake, për Bashkimin Sovjetik me Putinin, për Perandorinë Otomane me Erdoganin. Të dy ata ishin shumë shtypës ndaj kritikave. Të dy ata kanë krijuar kontroll të tyre ndaj mediave dhe e kanë projektuar, në mënyrë që ka pak ndryshime, imazhin e tyre të njeriut të fortë në audiencën vendëse”, thotë analisti politik me seli në Stamboll, Gareth Jenkins.
Kjo, në një mënyrë, ilustrohet edhe me pallatet e tyre.
Vitin e kaluar, presidenti Erdogan e kompletoi pallatin presidencial me 1 mijë dhoma dhe në vlerë prej 615 milionë dollarësh, në stilin otoman, për të cilin mbështetësit thonë se ka për qëllim ta paraqes prosperitetin e Turqisë dhe reflekton rëndësinë e Erdoganit si njeriu që e rikrijoi Turqinë moderne.
Putini e ka një rezidencë luksoze në Detin e Zi, që mendohet se është ndërtuar për 1 miliard dollarë, në stilin barok të Pallatit Dimëror në Shën Petersburg.
Por, të dy liderët kanë më tepër gjëra të përbashkëta se vetëm prirjen për veçoritë perandorake.
Krijimi i imazhit të njeriut të fortë
Secili prej tyre në mënyrë të kujdesshme e ka kultivuar imazhin e njeriut të fuqishëm duke e projektuar atë te shtetasit dhe të dy ata e kanë shtypur kritikën dhe e kanë marrë kontrollin ndaj mediave.
Putini, i cili sikur Erdogani, është rritur në varfëri dhe duke u marrë me sport, e kultivon imazhin e njeriut të fuqishëm duke i ftuar gazetarët gjatë vrapimit me kuaj, duke u fotografuar së bashku me tigra, dhe duke shkuar në ekspedita të zhytjes nënujore.
Erdogani e ka krijuar imazhin e njeriut të fuqishëm nëpërmjet retorikës së tij publike, që nuk i kursen armiqtë.
Njëherësh, të dy ata, e projektojnë ndjenjën e bindjes morale se mënyra se si e shikojnë ata botën është e miraturar nga autoritetet më të larta.
Erdogani është mysliman i devotshëm dhe lider i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, që është me bazë religjioze.
Putini, që pretendon se personalisht është thellësisht fetar, ka zhvilluar lidhje të afërta të Kremlinit me Kishën Ortodokse Ruse.
Të gjitha këto nuk i bëjnë ata të pakompromis në politikën vendëse, po, po ashtu, e formojnë qëndrimin e tyre ndaj marrëdhënieve të jashtme.
“Të dy ata, deri në një masë, bëjnë politikë ndërkombëtare sikur në shekullin e 19, të balancës së pushhtetit, në të cilën nëse ju fitoni, pala tjetër humb. Nuk mendoj se ata do të tërhiqen, pasi ata janë një soj i njeriut që janë”, thotë Bill Park, ekspert me seli në Londër.
A ka hapësirë për dialog?
Prej se Turqia e ka rrëzuar aeroplanin luftarak të Rusisë, më 24 nëntor, Putini dhe Erdogani kanë marrë pozicione që janë plotësisht në harmoni me karakterin e tyre.
Putini e ka përshkruar rrëzimin e aeroplanit si “thikë në shpinë”, duke sugjeruar se e ka konsideruar aksionin e Erdoganit si tradhti personale nga ish-miku. Më vonë ai e ndryshoi këtë thënie, duke u shprehur se ishte “thikë në shpinë... që ishte imponuar në ne nga bashkëpunëtorët e terrorizmit”.
Erdogani thotë se Turqia e ka rrëzuar aeroplanin për ta mbrojtur sigurinë e saj dhe “të drejtat e vëllezërve” të Turqisë në Siri.
Para se gjithash, ai i është referuar mbrojtjes së hapësirës ajrore turke kundër inkursioneve të përsëritura ruse, dhe së dyti, në mbrojtje të grupeve kryengritëse turkmene në Siri, të cilat Rusia i ka bombarduar afër kufirit të Turqisë.
Këto grupe nuk janë pjesë e militantëve të Shtetit Islamik, që janë caqe të deklaruara të Moskës në Siri.
Rrëzimi i aeroplanit luftarak rus është njëri nga incidentet më serioze ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, por kah do të lëvizë kjo krizë është vështirë të parashikohet.
Më 25 nëntor të dy vendet kanë sinjalizuar se do t’i shmangen aksionit ushtarak kundër njëra - tjetrës.