Ndërlidhjet

Kosova ngrit nivelin e sigurisë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Pas sulmeve të fundit terroriste në Paris, organet përgjegjëse për sigurinë në Kosovë, kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me vlerësimin e situatës, konfirmojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës, më 15 nëntor ka arrestuar 3 persona të dyshuar se kanë organizuar vepër penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Mund të konfirmojmë se me datën 15. 11. 2015, Drejtoria Kundër Terrorizmit në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar tre persona të dyshuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale: Organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, Neni 143, paragrafi 2 i Kodit penal të Republikës së Kosovës, vepër e mbetur në tentativë. Të dyshuarit janë arrestuar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, pasi që në bashkëpunim, janë kthyer nga autoritetet turke përmes Republikës së Maqedonisë”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka shtuar se janë bastisur dy lokacione ku janë gjetur dëshmi relevante të cilat ndërlidhen me rastin dhe gjithashtu ndihmojnë në vazhdimësinë e hetimeve të këtij rasti.

Me urdhër të prokurorit të tre personat e dyshuar janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, deri në paraqitjen pranë gjykatës kompetente.

Hoxha ka theksuar se Policia e Kosovës është duke përcjellë zhvillimet e fundit dhe sipas vlerësimit të nivelit të rrezikshmërisë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ngritur nivelin e sigurisë në vend.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka informacione edhe për letrën kërcënuese përmes postës elektronike në adresa të disa medieve, nga një grup i ashtuquajtur “Përkrahësit e Hilafetit në Shqipëri”,autenticiteti i të cilës nuk dihet, e shkruar në gjuhën shqipe dhe atë angleze, me të cilën kërcënohen edhe shqiptarët dhe Kosova.

“Policia e Kosovës është në dijeni për informacione të tilla. Rastin janë duke e hetuar njësitë kompetente policore. Gjithashtu, të gjitha veprimet tjera policore, duke përfshirë edhe ngritjen e nivelit të sigurisë, po ndërmerren në përputhje me vlerësimet dhe analizën e situatës”, ka theksuar Hoxha.

Njohësit e rrethanave të sigurisë në vend vlerësojnë se objektivi kryesor i organizatave terroriste është lufta ndaj vlerave të qytetërimit dhe stilit të jetës së civilizimit modern, sikurse është në Evropë.

Skënder Perteshi analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se, tash për tash, qëllimi i grupeve ekstremiste është mbjellja e frikës.

“Objektivi i dytë është që ISIS-i, përmes këtyre akteve dhe përmes mënyrës së kërcënimeve, qoftë nëpër medie me letra elektronike, qoftë me kërcënime publike, është që të përhapë sa më shumë propagandë dhe që tema e ekstremizmit, tema e ISIS-it të jetë pjesë e diskursit publik në çdo medie dhe në çdo diskutim, në samite botërore ose në jetën e përditshme të qytetarëve. Mbjellja e frikës është qëllimi kryesor i tyre”, ka thënë Perteshi.

Ai ka shtuar se në një masë, tashmë këto fenomene kanë arritur t’i frikësojnë qytetarët.

Gjithashtu, sipas Perteshit, rreziku nga fenomeni i ekstremizmit dhe terrorizmit, nuk duhet përjashtuar në Kosovë, pavarësisht se deri më tash është parë se caqe potenciale të këtyre sulmeve janë vendet perëndimore që kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por, megjithatë, Perteshi thekson se në Kosovë, masa e parë që duhet të ndërmirret është koordinimi ndërinstitucional i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Prokurorisë dhe Policisë.

“E dyta është forcimi i kufijve. Sidomos vendkalimet kufitare që janë qoftë me Maqedoninë, qoftë me Shqipërinë, qoftë me Serbinë. Duhet të rritet shumë më shumë kontrolli kufitar. E treta: duhet të ngritet niveli i kontrollit tek Aeroporti Ndërkombëtarë i Prishtinës".

"Ajo që kërkohet është që për të gjithë personat që janë kthyer nga luftërat në Siri dhe Iriak, duhet të ketë një mbikëqyrje më të madhe dhe me të rreptë ndaj tyre, rreth qëllimit të ardhjes së tyre në Kosovë. E katërta, duhet një bashkëpunim shumë më i madh me Bashkësinë Islame të Kosovës, se çka po ligjërohet dhe çka po punohet tash e tutje në drejtim të parandalimit të ekstremizmit”.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe njohësit e rrethanave të sigurisë në vend kanë theksuar si mjaft të nevojshëm dhe të çmuar bashkëpunimin e mirë me qytetarë, në luftë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Sipas tyre, deri më tash roli i qytetarëve, kanë qenë një nga faktorët më të rëndësishëm për të mbajtur gjendjen e sigurisë në nivelin e duhur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG