Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të martën paradite në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar projektligjin e propozuar nga qeveria për buxhetin e vitit 2016.
Seanca është thirrur nga kryesia e Kuvendit. Mbledhja e kryesisë ka nisur me një minutë heshtje në shenjë nderimi për viktimat e sulmeve terroriste në Paris fundjavën e kaluar.
Më pas, kryesia vendosi që të caktojë seancë të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës, me pikën e vetme, miratimin e buxhetit të vitit 2016.
Por, ajo që e bën të paparashikueshëm mbajtjen e kësaj seance është zotimi i opozitës se do ta pengojë atë. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar nga opozita, siç ka thënë ai, të mos “abuzojë dhe të lejojë Kuvendin të kryej punën e vet”.
“Kërkoj nga opozita që të jetë më e sinqertë me qëndrimet e veta, me kërkesat e veta. Mos të na abuzojë për arsye se mjaftë e ka bërë këtë deri më tani. Të jetë më korrekte edhe me neve kolegët deputetë, sepse asgjë nuk u kemi borxh. Dhe, të njëjtën kohë të na lejon mundësitë që të punojmë, për arsye se është paaftësi dhe pafuqi e opozitës dhe në këtë mënyrë po e abuzon Kuvendin sepse po ka mundësi që këtë ta bëjë vetëm këtu”, ka theksuar Veseli.
Thirrja e seancës, megjithatë, po kundërshtohet nga opozita.
Tri partitë opozitare nuk e përjashtojnë mundësinë që sërish të përdorin gazin lotsjellës apo edhe mjete tjera për të bllokuar punimet e seancës, siç kanë vepruar në mbledhjet paraprake.
Si kusht që të mos ketë bllokim të seancave, opozita po kërkon që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të anulojnë marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se nuk do të lejohet asnjë seancë pa anulimin e këtyre marrëveshjeve.
“Ne kemi vendosur si kusht për Qeverinë e Kosovës që mbajtja e seancave është e mundur vetëm atëherë kur Qeveria të tërhiqet nga marrëveshjet e Brukselit, për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin".
"Deri më tash qeveria nuk ka dhënë kurrfarë shenjash që është e gatshme të tërhiqet nga këto marrëveshje. Kështu që veprimet tona do të jenë të njëjta, pra bllokimi dhe pamundësimi i mbajtjes së seancave të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Ndaj paralajmërimeve të opozitës, kanë reaguar 82 deputetë nga partitë e koalicionit qeverisës, të cilët i kanë kërkuar kryesisë të ndërmarrë masa në mënyrë që të mos lejojë që të rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre në Kuvend.
Përveç pengimit të punës së Kuvendit, tri partitë në opozitë kanë paralajmëruar që më 28 nëntor, në ditën e Flamurit Shqiptar, festë kjo që shënohet në Kosovë, të organizojnë në Prishtinë një manifestim kundër qeverisë së Kosovës.
“Ka më shumë se dy muaj që subjektet opozitare, me vendosmëri të lartë, i kanë kundërshtuar në mënyrë aktive planet e Qeverisë së Kosovës për të instaluar në vendin tonë një Republikë serbe dhe për t’ia falur Malit të Zi mbi 8000 hektarë të territorit tonë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Sidoqoftë, të martën pritet të shihet se si do të vijojnë punimet e Kuvendit të Kosovës.
Në një prej seancave të fundit, kryesia kishte futur edhe sigurimin brenda në sallë.
Por, edhe kjo masë nuk kishte dhënë rezultate, kështu që më pas pati ndarë deputetët e pozitës në një sallë alternative për vazhdimin e seancës, ngaqë deputetët opozitarë hidhnin gaz lotsjellës, shishe e gjësende tjera në drejtim të kabinetit qeveritar të ulur në ballë të sallës së Kuvendit me çka e pamundësonin punën e këtij institucioni.