Kuvendi i Kosovës në këtë legjislaturë, të pestën që nga themelimi, ka arritur të miratojë deri më tash mbi 25 ligje, derisa në planin e punës janë paraparë që brenda vitit 2015, të miratohen më shumë se 100 ligje.
Bllokimi i punës në Kuvendin e Kosovës, do të ketë efekte negative në shumë drejtime, deklarojnë përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.
Ata konsiderojnë se pasojat nga mosfunksionimin i Kuvendit, do t’i bartin drejtpërdrejt qytetarët e vendit.
Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratike i Kosovës, institut ky që bën monitorimin e punës së Kuvendit, konsideron se Kosova në kontestin e përgjithshëm, është keq në përgjegjësinë e ligjbërjes.
“Kuvendi i Kosovës gati një vit e gjysmë është në krizë të kryerjes së mandatit të vet kushtetues që ka. Në këtë kontest, rolin kryesor e ka procesin e ligjbërjes".
"Që nga konstituimi i kësaj legjislature, që i bie gati një vit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar vetëm 25 ligje në të dy leximet, 20 janë në procedurë dhe 70 prej tyre presin që të vijnë. Dhe, nëse marrim kontestin e përgjithshëm, del që as pothuajse 20 për qind e planit legjislativ, të menduar dhe planifikuar për vitin 2015, nuk është realizuar”, thotë Selmanaj.
Kuvendi i Kosova, shton ai, edhe më herët, edhe tash nuk po arrin që t’i realizojë planet e veta.
“Përfundimisht jemi keq, jo vetëm me përgjegjësinë e ligjbërjes, por edhe në mandatet e tjera kushtetues që i ka Kuvendi, qoftë në plotësimin e bordeve të agjencive të pavarura, qoftë në mbikëqyrjen parlamentare, e kështu me radhë”.
“Më e rëndësishmja është se tani, së fundmi e kemi Ligjin për buxhetin, projektligj ky që është prej më të rëndësishmëve, që përcakton kahet e zhvillimi të këtij vendi, që shërben edhe për pagat e njerëzve që jetojnë në Kosovë. Janë edhe disa ligje që shërbejnë për procesin e liberalizmit të vizave. Për fatin e keq, duket se edhe për këto çështje do të ketë shumë probleme në gjetjen e formës se si do të kalojnë”, shpjegon Selmanaj.
Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, thekson se edhe sikur Kuvendi i Kosovës të punonte 24 orë pa u ndalur, nuk do të mund të plotësonte nevojat e njerëzve që jetojnë në Kosovë në procesin e ligjbërjes, kontrollit ndaj agjencive të pavarura dhe kontrollit ndaj ekzekutivit.
“Them se ky vit i jetës parlamentar ka shkuar ters, gati që ka dështuar për fat të keq. Kjo për shkakun se fillimisht mezi u gjet rruga për konstituim, diku muaji janar – shkurt, dhe vetëm në mars filloi një punë serioze e Kuvendit të Kosovës”.
“Nga marsi deri në qershor ishte një përshtypje që linte të shpresohej që diçka normale po arrihej. Më pas u futëm në krizën tjetër, ku nuk po lejohet mbajtja e seancave. Në kontestin e përgjithshëm, nëse ne mund ta marrim, i bie që Kuvendi i Kosovës po vendnumëron, mos të them që në situata të caktuara, ndoshta ka edhe regres”, shprehet Selmanaj.
Viti 2015 konsiderohet si viti i humbur për Kosovën, thotë edhe Naim Rashiti, analist në Grupin Ballkanik për Politika.
Në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, ia thotë se me mosfunksionimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht nga mosmiratimi i ligjeve, pëson shteti, në përgjithësi.
“Janë hapa prapa ose cenime të konsolidimit të institucioneve. Kjo vjen si rrjedhojë e krizës së vitit të kaluar, nuk buron nga sot. Pastaj janë çështjet legjislative që kanë të bëjnë direkt me jetën e qytetarëve. Agjenda e Kuvendit ka paraparë kalimin e 132 ligjeve. Ka ligje që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave, është edhe buxheti ...”, thekson Rashti.
Ai thotë se shtetet, të cilat janë duke filluar negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, janë duke mbajtur seanca parlamentare dhe kalojnë amendamente e miratojnë ligje çdo të dytën ditë, ndërkohë ne, pra Kuvendi i Kosovës, është i bllokuar.
“Unë nuk po shoh vullnet polik për ta kaluar këtë situatë, as të Qeverisë, shumicës parlamentare, e as të opozitës për të pranuar dialogun dhe për të bërë një marrëveshje pozitë-opozitë. Ka hezitime shumë të mëdha për ndonjë marrëveshje të tillë dhe nuk po shoh që kriza do të zgjidhet së shpejti. Jemi realisht në një status-quo të rëndë të marrëdhënieve politike pozitë - opozitë dhe defunksionalizimit të Kuvendit”, vlerëson Rashiti.
Njohësit e zhvillimeve politike dhe të integrimeve evropiane, konsiderojnë se në rast se qëndrimet aktuale diametralisht të kundërta të partive në pushtet dhe atyre në opozitë, mbesin të tilla edhe më tutje, rrezikojnë funksionalitetin e institucioneve. E, kjo do ta rrezikonte në shtigje afatgjata gjithë procesin e integrimeve të Kosovës.
Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, thotë se bllokimi i punës së Kuvendit të Kosovës, do të ketë efekte të padëshirueshme për proceset në vend edhe në proceset tjera, sikurse procesi i liberalizimit të vizave.
“Ai është një proces më përmbajtjesor dhe rrjedhimisht është një proces që mund të ndikohet shumë lehtë, sepse marrëveshjet nënshkruhen me institucione të qëndrueshme dhe jo sikur me këto tonat, të cilat po manifestojnë një papjekuri totale institucionale dhe kushtetuese”, deklaron për Radion Evropa e Lirë profesor Ujkani.
Kuvendi i Kosovës ka hyrë tashmë në një prej periudhave më të vështira të funksionimit, ndërkohë që raportet politike ndërmjet Qeverisë dhe opozitës janë tensionuar.
Bllokimi i seancave nga opozita, është shoqëruar edhe me përdorimin e gazit lotsjellës në sallën e seancave. Ndërkaq, paralajmërohet se këto nuk janë mjetet e vetme që do të përdoren për të pamundësuar funksionimin e organit më të lartë ligjvënës.
Kjo rezistencë opozitare, arsyetohet me marrëveshjen e 25 gushtit, që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan në Bruksel për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Krahas kësaj marrëveshjeje, opozita po e kundërshton edhe marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të cilën autoritetet e Kosovës e firmosën nën garancitë ndërkombëtare.