Ndërlidhjet

Plani rus për Sirinë kundërshtohet nga perëndimi


16 shtator/Siri
16 shtator/Siri

Vendet perëndimore dhe ato të Gjirit Arab e kanë hedhur poshtë planin e Rusisë për paqe dhe reforma në Siri, duke thënë se nuk do t’i krijojë bazat për bisedimet në Vjenë këtë fundjavë.

“Ne jemi të vetëdijshëm për propozimet ruse”, u tha të mërkurën vonë gazetarëve ambasadori britanik në selinë e Kombeve të Bashkuara, Matthew Rycroft, dhe ka shtuar se “plani prej tetë pikësht vetvetiu nuk është qendror në disuktimet e Vjenës, por Rusia është”.

Diplomatët e Rusisë kanë theksuar se plani paraqet “vizionin” dhe “idetë” e Moskës dhe se Rusia është e hapur për propozime alternative nga 20 vendet, që marrin pjesë në bisedimet paqësore më 14 nëntor, në përpjekjen më të rëndësishme ndërkombëtare deri tash, për ta përfunduar luftën katërvjeçare në Siri.

Plani i Rusisë, të cilin e kanë parë agjencitë Associated Press dhe Reuters, parasheh propozimin e kushtetutës së re të Sirisë, që do të votohej pas zgjedhjeve të parakohshme presidenciale.

Në këtë plan nuk përmendet tërheqja e presidentit aktual të Sirisë, Bashar al-Assad, gjatë periudhës tranzitore, që në anën tjetër, është kërkesë kryesore e vendeve perëndimore dhe e atyre të Gjrit Arab, që marrin pjesë në bisedime.

Disa diplomatë perëndimorë e kanë hedhur poshtë planin e Rusisë për shkak se ai nuk e qartëson fatin e presidentit Assad.

Një diplomat në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për agjencinë AFP, e ka përshkruar propozimin rus për reforma në Siri si “tërheqje nga përmbajtja e pakos”.

Plani rus parasheh krijimin e një komisioni kushtetues për t’i hartuar reformat politike siriane dhe specifikon se presidenti Assad nuk do të lejohej ta kryesoj atë komision. Por, plani nuk ia ndalon atij në mënyrë specifike kandidaturën për zgjedhjet presidenciale.

“Kjo nuk mjafton” tha diplomati në OKB dhe ka shtuar se “duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale se pika përfundimtare nuk lejon që Assadi të ketë pushtet”.

Diplomatët kanë thënë se Arabia Saudite, veçanërisht, ka këmbëngul për përkushtim të qartë të Iranit dhe Rusisë, që Assadi do të tërhiqet.

Ministri i jashtëm Adel al-Jubeir, mbrëmë në kryeqytetin Rijad, para gazetarëve e ka paraqitur qëndrimin e Arabisë Saudite, duke thënë se “nëse largimi i al-Assadit nuk kompletohet në mënyrë paqësore, atëherë do të kompletohet në mënyrë ushtarake”.

Por, Rusia dhe Irani e mbajnë qëndrimin se populli i Sirisë, e jo negociatorët për paqe, duhet të vendosin për fatin e Assadit nëpërmjet zgjedhjeve.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, mbrëmë në një intervistë për mediat franceze, është shprehur se negociatorët duhet të fokusohen në çështje të tjera.

“Nuk është çështje e personit, është çështje e sigurisë dhe stabilitetit”, tha Rohani, dhe ka shtuar se “të gjithë ne duhet të bëjmë përpjekje për çrrënjosjen e terrorizmit në Siri dhe të sigurohemi se paqja dhe stabiliteti janë kthyer”.

“Mënyra më e mirë për t’i eliminuar terroristët është që të mbahet qeveri e fortë në Damask”, tha Rohani, dhe si argument e ka shtruar pyetjen se “cili vend ia doli ta luftojë terrorizmin pa shtet të fortë”?

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG