Ndërlidhjet

Aeroplani rus ishte shkatërruar nga bomba


Mbetjet e aeroplanit rus të rrëzuar në Egjipt, fundjavën e kaluar.
Mbetjet e aeroplanit rus të rrëzuar në Egjipt, fundjavën e kaluar.

Mediet franceze kanë raportuar se kutitë e zeza të aeroplanit rus, i cili është rrëzuar në Egjipt, fundjavën e kaluar, indikojnë se aeroplani kishte pasur përfundim të “befasishëm dhe të dhunshëm” për shkak të eksplodimit gjatë fluturimit.

Raportet e mbrëmshme, nëse konfirmohen, paraqesin dëshminë e parë të fortë se aeroplani ishte shkatërruar nga bomba, diçka që është cituar vetëm si mundësi deri tash nga autoritetet prej Britanisë e deri te Shtetet e Bashkuara.

Rrjeti televiziv France 2 ka raportuar se “tingulli i eksplodimit mund të dëgjohet qartas gjatë fluturimit”, sipas “një hetuesi, i cili ka pasur qasje në kutinë e zezë”, të aeroplanit të udhëtarëve, të tipit Metrojet Airbus A321-200.

Agjencia franceze e hetimit të aksidentit i ka thënë AP-së, se nuk mund ta konfirmojë raportin.

Kjo agjenci tash ka ekspertë në Egjipt, që po zhvillojnë hetime lidhur me përplasjen, pasi Metrojet ishte i prodhuar në Francë.

Një burim i AFP-së, i përshkruar si i afërt me rastin, po ashtu, ka thënë se aeroplani ka përjetuar përfundim “të dhunshëm, të befasishëm”, nga i cili janë vrarë të 224 njerëzit në të.

Kutia e zezë, e cila i incizon të dhënat gjatë fluturimit, tregoi se “çdo gjë ishte normale gjatë fluturimit, absolutisht normale dhe papritmas atje nuk kishte asgjë”, ka thënë burimi i agjencisë franceze të lajmeve, AFP.

Një burim tjetër i AFP-së tha se të dhënat e fluturimit dhe aparati për incizimin e zërit, treguan se “çdo gjë ishte normale”, derisa të dy këto instrumente dështuan në minutën e 24 prej ngritjes nga pushimorja Sharm El Sheik në Egjipt, më 31 tetor, duke theksuar “eksplodim shumë të papritur dhe rënie të presionit të ajrit”.

Këto të dhëna “fuqishëm e favorizojnë” teorinë se dikush e ka montuar bombën në aeroplan, tha burimi i dytë i agjencisë AFP.

Një grup në Egjipt, i ndërlidhur me ekstremistët e Shtetit Islamik, pretendon se e ka rrëzuar aeroplanin në shenjë të hakmarrjes për sulmet ajrore të Rusisë në Siri.

Një video e publikuar nga grupi ekstremist, Shteti Islamik, më 6 nëntor, pretendon se paraqet liderët e këtij grupi militant në Alepo të Sirisë, duke i uruar kolegët e tyre në Gadishullin Sinai, pas rrëzimit të aeroplanit, ka raportuar rrjeti CNN.

Në raporte të ndara në Shtetet e Bashkuara dhe Britani, është theksuar se agjencitë e inteligjencës, pas rrëzimit, i kanë zënë bisedimet e liderëve të grupit militant, Shteti Islamik, në Raka të Sirisë, dhe militantët në Gadishullin Sinai, duke u mburrur për përplasjen e aeroplanit.

“Qartas ata festonin”, i ka thënë një zyrtar amerikan rrjetit NBC.

Rusia e kishte hedhur poshtë mundësinë e sulmit me bombë në aeroplan për disa ditë, por të premten shpalli pezullimin e të gjitha fluturimeve për Egjipt.

Një hetues rus i tha agjencisë TASS se pala ruse deri tash nuk ka dëshmi që e konfirmon eksplodimin e bombës brenda aeroplanit, por ka kërkuar që hetuesit francez t’i ndajnë provat e tyre me rusët.

“Tash për tash, ne mund të flasim vetëm për një zhurmë të qartë të regjistruar nga incizuesi i zërit në kabinë”, ka thënë ky hetues rus.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG