Ndërlidhjet

Kosova nuk bëhet anëtare e UNESCO-s


Foto arkivi
Foto arkivi

Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk votoi të hënën në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Për pranimin e Kosovës në UNESCO duheshin votat e më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të kësaj organizate, të pranishme në punimet e sotme.

Votimit për anëtarësim i parapriu një kërkesë e delegacionit të Serbisë, për ta shtyrë votimin e sotëm, por e cila kërkesë nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme.

Megjithatë, në votimin për pranimin e Kosovës në UNESCO, Kosova nuk ka arritur të marrë dy të tretat e votave.

Votës “për” i munguan gjithsej 3 vota. Për pranimin e Kosovës në UNESCO janë nevojitur 95 vota “për”, ndërkaq që në favor të këtij vendimi kanë votuar 92 vende, 50 kanë qenë kundër dhe 29 kanë abstenuar.

Reagimet e para të qytetarëve rreth mosanëtarësimit në UNESCO.

Zhgënjim me UNESCO
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:29 0:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një deklarate për medie ka theksuar se “Mosanëtarësimi i Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) është një shans i humbur për avancimin e vizionit, vlerave dhe qëllimeve që i synon kjo agjenci e OKB-së dhe promovimin e këtyre vlerave në Kosovë”.

“Angazhimi ynë vetëm sa do të marrë hov e me këtë edhe përkushtimi ynë që ta mbrojmë dhe ruajmë trashëgiminë kulturore e cila është trashëgimi botërore”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Keqardhjen e thellë për mungesën e konsensusit ndërkombëtar për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në UNESCO, e ka shprehur kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili aktualisht është duke qëndruar për vizitë në kryeqytetin e Lituanisë, Vilniusi.

“Fatkeqësisht, orientimi i qartë pro-perëndimor i Kosovës si dhe gatishmëria e saj për të çuar përpara të gjitha agjendat konstruktive, i ka penguar Serbisë, e cila ka ndërmarrë në vazhdimësi, por sidomos gjatë këtij procesi, një fushatë raciste kundër Kosovës. Kjo ka ndikuar tek disa shtete që ndajnë interesa të përbashkëta me aleatët e Serbisë".

"Por, kjo nuk na zmbraps aspak. Sepse ne jemi të vendosur të punojmë pareshtur për ta fuqizuar shtetin e Kosovës dhe për ta afirmuar atë si një projekt të suksesshëm, që u shërben interesave të qytetarëve të saj, pa asnjë dallim dhe që është kontribut i paqes, tolerancës dhe prosperitetit”, ka thënë kryeministri Mustafa, përmes një komunikate.

Pas vendimit të Konferencës së përgjithshme të UNESCO-s, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në faqen e tij në rrjetin social Facebook, Thaçi ka shkruar se shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën.

“ Fatkeqësisht, për 3 vota nuk fituam shumicën absolute të nevojshme. Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç'është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë. Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij në Facebook.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se mospranimi i Kosovës në UNESCO, është një lajm i keq dhe indinjues.

"Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar".

Keqardhje për mospranimin e Kosovës në UNESCO ka shprehur edhe partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Përmes një komunikate për medie AAK ka theksuar se “Kosova e ka merituar plotësisht që të jetë anëtare e kësaj organizate, por votimi i sotëm shpjegon se sa e komplikuar është rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë por edhe në vetë Kombet e Bashkuara”.

Në anën tjetër, kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, përmes një deklarate për medie, e ka quajtur “fitore të drejtë dhe morale” mospranimin e Kosovës në UNESCO.

“Kjo është një fitore e drejtë dhe morale e arritur në kushte pothuajse të pamundshme, kur ajo që është e drejtë nuk mund të llogarisë në mbështetjen e shumicës”, thuhet në deklaratën e zotit Nikoliq.

Në anën tjetër, Afrim Hoti, profesor i të Drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se mospranimi i Kosovës në UNESCO nuk duhet marrë si diçka shumë tragjike dhe se votimi ka treguar një proces jashtëzakonisht të komplikuar.

“Edhe përkundër faktit që një numër i madh i shteteve ishte në favor të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, si duket pragu për kalimin e dy të tretave ishte shumë i lartë për Kosovën dhe kësaj radhe Kosova dështoi në marrjen e anëtarësisë".

"Mendoj se duhet të ecim dhe të shikojmë përpara, fundja dhe të aplikojmë sërish në mundësinë e parë, sepse anëtarësimi i Kosovës nuk mund të shihet si diçka pozitive vetëm për Kosovës, por duhet të shihet pozitive për shkencën, kulturën, trashëgiminë, e kujtdo qoftë”.

Igumani Sava Janjiq, përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, i cili ka qenë një nga zërat më të fuqishëm që ka kundërshtuar pranimin e Kosovës në UNESCO, pas vendit të Konferencës së Përgjithshme të kësaj organizate, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky është një rast i mirë për dialog.

“Mendoj se nuk është koha për çfarëdo emocioni. E rëndësishme është që ka fituar shansi për një dialog ‘fer’ dhe për ndërtimin e besimit. Prandaj, të dyja palët duhet ta kuptojnë seriozisht që para nesh do të ketë mjaft përpjekje që të gjitha problemet të zgjidhen në dialog dhe me komunikimin e ndërsjellë e jo me politizimin e çështjes së trashëgimisë kulturore”, tha igumani Janjiq.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim është paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria.

Më 21 tetor, Bordi ekzekutiv i UNESCO-s, me shumicë votash kishte vendosur që ta rekomandojë propozimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, gjë që hapi rrugën që kjo çështje të votohet të hënën në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila po mban punimet prej 3 deri më 18 nëntor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG