Ndërlidhjet

Punëtorët “pa letra“ mbushin tregun e punës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Një numër i madh i punëtorëve në Kosovë të cilët punojnë në sektorin privat nuk kanë të nënshkruara kontrata pune në mes punëdhënësit dhe punëkërkuesit.

Kjo dukuri sipas përfaqësuesve të punëtorëve dhe bizneseve, vë në sipërfaqe se numri i të punësuarve është më i lartë, por punësimi në Kosovë zhvillohet në mënyrë joformale.

Kontrata e punës është veprim juridik i dyanshëm, i cili rregullon të drejtat të punëdhënësit dhe të punëmarrësit.

Në bazë të kontratës, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta lajmërojë në Administratën Tatimore të Kosovës dhe institucionet tjera të cilat menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat tjera.

Po ashtu punëdhënësi është i obliguar për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore.

Mungesa e kontratës se punës nënkupton pasiguri për punëtorët, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi.

Ai ka treguar se gjatë inspektimeve në disa kompani, vitin e kaluar kanë hasur në mbi 2700 punëtorë pa kontrata pune, kurse për këtë vit 1500 qytetarë të cilët punojnë në mënyrë ilegale.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ka punëtorë pa kontrata pune, që është një çështje shumë e rëndësishme dhe ne i kushtojmë vëmendje te veçantë. Mirëpo, fatkeqësisht ende nuk kemi arritur t'i legalizojmë të gjithë punëtorët. Sigurisht që edhe në të ardhmen do të merremi më këtë çështje, në mënyrë të veçantë”, tha Ibrahimi.

Por, përfaqësues të punëtorëve konsiderojnë se mbi 50 për qind e punëtorëve në tregun e punës nuk posedojnë kontrata pune dhe nuk janë të lajmëruar në institucionet kompetente.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka thënë se fajtor për këtë janë mekanizmat inspektues dhe pronarët e kompanive private.

“Mbi 50 për qind e punëtorëve nuk kanë kontrata dhe krahas kësaj rreth 80 për qind nuk kanë përkrahje ligjore. Do të thotë më shumë se gjysma e punëtorëve në sektorin privat punojnë pa asnjë të drejtë, pa asnjë dokument zyrtar".

"Për këtë unë mendoj se shifra e paraqitur për moshën e re, prej 60 për qind e papunë, nuk është e vërtet. Pra, e japin këtë shifër që të mbulohet pjesa e qytetarëve të cilët nuk punojnë dhe nuk janë të regjistruar askund”, thotë Azemi

Edhe përfaqësues të bizneseve, pohojnë se në punësimi i zhvilluar në mënyrë joformale vazhdon të mbetet sfidë për institucionet kompetente.

Megjithatë sipas tyre, edhe pse shifrat zyrtare mungojnë se sa është numri i punëtorëve që punojnë "në të zezë", viteve të fundit ka një përmirësim në këtë rrafsh.

Sipas një hulumtimi për tregun e punës në Kosovë, realizuar vitin e kaluar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thuhet se 25 për qind e punëtorëve në sektorin privat kanë qenë të punësuar në mënyrë joligjore.

Agim Shahini, kryetar në këtë asociacion, tregon se në shumicën e rasteve punëtorët kanë shprehur gatishmërinë të punojnë pa kontrata pune për shkak të siç kanë thënë, mos humbjes së përfitimeve tjera nga qeveria.

“Punëdhënësit kanë deklaruar se disa punëkërkues nuk dëshirojnë të kenë kontratë për shkak se familjet e tyre janë të përfshirë në skemat sociale, për shkak se humbin disa benifite. Dhe kjo bën që ata në treg të punës të jenë pa kontratë. Ne vazhdimisht po tentojmë të vetëdijesojmë të dy palët, sepse kontratat garantojnë siguri”, tha Shahini.

Përderisa nuk dihet numri i punëtorëve që punojnë në tregun joformal, shifrat zyrtare të atyre që janë të lajmëruar dhe kanë llogari në Trustin Pensional të Kosovës ka arritur në afër 500 mijë kontribut-pagues.

Sidoqoftë, në Kosovë Ligji i punës mbron të drejtat e punëtorëve dhe gjobat për ata që nuk e respektojnë këtë ligj kapin shumën deri në 35 mijë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG