Ndërlidhjet

Akuza për keqtrajtim të punëtorëve në KEDS


KEDS
KEDS

Sindikata e punëtorëve të Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) në Kosovë, shpreh shqetësimin se kompania e cila ka privatizuar këtë distribucion po keqtrajton dhe po shkel të drejtat e punëtorëve.

Konsorciumi turko-amerikan “Çalik -Limak”në vitin 2013, e ka blerë distribucionin për 26.3 milionë euro, kurse një ndër premtimet ishte mbrojtja e të drejtave të punëtorëve.

Gjithashtu, ky konscorcium punëtorëve u ka siguruar kontrata trevjeçare.

Por, Fehmi Pajaziti, nënkryetar i Sindikatës se Pavarur Elektro-Kosova në këtë kompani, në të cilën punojnë 2400 punëtorë, thotë se në realitet situata paraqitet krejt kundërt nga ajo çka ka premtuar kompania “Çalik Limak”.

Ai ka thënë se kompania deri më tani nuk ka larguar nga puna punëtorët, por mbi 200 është numri i punëtorëve, kryesisht mbi 50 vjeç, të cilëve u shkelen të drejtat apo të cilët, siç thotë ai, kompania i përgatit për largim nga puna.

“Faktikisht të larguar nga puna, përveç atyre që kanë bërë shkelje ligjore dhe procedurale nuk ka, por janë mbi 200 punëtorë të cilët janë ta pasistemuar dhe trajtohen në mënyrën më çnjerëzore të mundshme".

"KEDS i ka vendosur në një hapësirë 30-40 m2, mbi 200 punëtorë, pagën e marrin, por punë nuk u jipet. Çka do të thotë se përgatiten që në vitin 2016, një numër i madh i punëtorëve të mbesin pa vendet e tyre të punës”, shprehet Pajaziti.

Pajaziti ndërkaq thotë se për këto probleme kanë njoftuar të gjitha institucionet përgjegjëse, por që deri më tani nuk ka ndonjë veprim.

Ai madje tregon se sindikata ende nuk ka arritur të sigurojë ndonjë marrëveshje apo kontratë zyrtare të KEDS-it.

Se në këtë kompani është një situatë konfuze, pohojnë edhe zyrtarë të qeverisë.

Kryeinspektori i Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Basri Ibrahimi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se ka ankesa të shumta si nga sindikata, por edhe në mënyrë individuale.

Ai tregon se ky mekanizëm ka marrë disa veprime, disa në favor të punëtorëve, por disa në favor të kompanisë.

Për shkak të dyshimeve të, siç thotë Ibrahimi, lëvizjes së punëtorëve, inspektorati ka planifikuar një inspektim të përgjithshëm në këtë kompani.

“Ne kemi marrë disa vendime, në të cilat janë aprovuar edhe ankesat e punëtorëve, disa të tjera nuk janë aprovuar, sepse nuk kanë pasur bazë ligjore. Por, gjithsesi aty është një gjendje konfuze, për shkak të transformimeve që janë duke u bërë dhe që kompania, siç mendojmë ne, mendon t'i bëjë vitet e ardhshme” .

Në anën tjetër, zyrtarë të KEDS-it në një përgjigje përmes postës elektronike, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, se planifikimi i fuqisë punëtore mund të ndryshojë në periudha të ndryshme kohore.

Një ndër arsyet mund të jenë edhe zhvillimet teknologjike të cilat avancojnë proceset e punës.

“Në çdo kompani, institucion apo organizatë, me kalimin e viteve numri i te punësuarve nuk mbetet i njëjtë. Pra, është subjekt i ndryshimeve, veçanërisht ne kompanitë që kanë numër të madh të punëtorëve".

"Madje, në kompanitë me numër të madh të punëtorëve thuajse çdo muaj dikush lë punën, dikush pushohet nga puna apo edhe punësohet. Kjo varet nga nevojat e kompanisë, interesat dhe mundësitë individuale, përkushtimi dhe dëshira ne vendin e punës apo faktorë tjerë“, kanë thënë zyrtarë të KEDS.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve, ata kanë thënë se KEDS është i përkushtuar që në tërësi të përkrahë të drejtat dhe obligimet ndaj punëtorëve duke respektuar kushtet e marrëveshjes së transferit me rastin e privatizimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG