Ndërlidhjet

Mustafa: Kosova meriton të jetë pjesë e UNESCO-s


Isa Mustafa
Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, mund të dërgojnë mesazh jo të mirë te shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në prag të një vendimi për ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm.

Kryeministri Mustafa, në një konferencë për media të mbajtur në ambientet e Qeverisë së Kosovës, theksoi përkrahjen e madhe që ka vendi nga shtetet e ndryshme të botës për anëtarësim në UNESCO.

“[Zhvillimet e në Kuvend] mund të lënë një pasqyrë, mirëpo unë jam shumë i bindur se sjellja jonë që kemi reflektuar në këtë periudhë të shtet-ndërtimit, si deri në vitin 2008, dhe pas këtij viti tregon që ne jemi treguar shumë parimor sa i përket respektimit dhe ruajtjes dhe vlerave kulturore dhe trashëgimisë kulturore”, tha Mustafa.

Ai tha se të gjithë liderët në Kosovës, por edhe të tjerët duhet të sillen në mënyrë të duhur me qëllim që të gjenden arsyet e argumentet që Kosova të jetë pjesë e UNESCO-s.

“Të komunikojmë përmes metodave dhe mjeteve të dialogut, mjeteve paqësore ashtu siç e kemi ndërtuar këtë shtet”, tha Mustafa.

Shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh optimist sa i përket anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Në javën e dytë të nëntorit, në konferencën që do të mbahet, do të vendoset për Kosovën. Presim që vendet ta votojnë anëtarësimin”, theksoi Mustafa

Mirëpo, Mustafa tha se fushata që kanë bërë institucionet e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ka hasur në një fushatë negative të Serbisë.

“As Serbia dhe askush nuk fiton nëse Kosova mbetet e izoluar. Nuk i ndihmohet paqes në Ballkan nëse Kosova mbetet jashtë organizmave ndërkombëtar. Nuk përfiton as Serbia nëse Kosova nuk ka qasje në programe edukimi ose në programe të mbrojtjes së ambientit, të cilat janë ekspertizë e UNESCO-s”, theksoi Mustafa duke kërkuar përkrahje nga shtete të ndryshme për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Me datën 21 të këtij muaji, bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka votuar në favor të kërkesës për ta pranuar Republikën e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG