Ndërlidhjet

Toleranca ndërfetare në Kosovë, shembull


Xhamia dhe Kisha Katolike në të njejtin oborr, Ferizaj.
Xhamia dhe Kisha Katolike në të njejtin oborr, Ferizaj.

Krerë të bashkësive fetare në Kosovë, vlerësojnë se niveli i tolerancës ndërfetare në vend, është i lartë.

Sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, tha se toleranca ndërmjet bashkësive fetare aktualisht është në nivelin që kërkohet dhe që duhet të jetë.

“Sa i takon komuniteteve të tjera, me lejoni të them për shembull me Ipeshkvinë Katolike, apo edhe komunitetet tjera më të vogla në Kosovë, kemi marrëdhënie goxha të mira të cilat do të duhej me qenë edhe shembull se si munden njerëzit të jetojnë njëri pranë tjetrit, e jo njëri kundër tjetrit”, tha Rexhepi.

Edhe përfaqësuesi i Kishës Katolike në Kosovë, Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, vlerëson se toleranca ndërfetare në Kosovë është e mirë.

“Toleranca në Kosovë është shumë e mirë. Jo vetëm e mirë, por shumë e mirë, sidomos takimet që i kemi me bashkësitë fetare, me Bashkësinë Islame. Tani kemi takim edhe me Bashkësinë Ortodokse, por veçmas po përsëris me shqiptarët e besimit islam. Si Kishë Katolike ne fare nuk kemi problem. Gjithnjë e më shumë po përpiqemi që toleranca të ngrihet në një shkallë edhe më të lartë”, tha Zefi.

Bashkësitë fetare luajnë rol të rëndësishëm në shërimin e plagëve të së kaluarës, tejkalimin e urrejtjes dhe shkatërrimit ndërvëllazëror, si dhe vendosjes së drejtësisë dhe paqes mes bashkësive, vlerësojnë njohës të religjioneve.

Ismail Hasani, profesor i sociologjisë e religjionit në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosovën e karakterizon një tolerancë e theksuar ndërfetare, të paktën mes atyre përkatësive fetare të cilat komunikojmë mes vete.

Zoti Hasani konsideron se përfaqësuesit e Kishës Ortodokse në Kosovë i nënshtrohen Kishës Ortodokse serbe në Serbi dhe si pasojë, ata janë të barrikaduar dhe pjesëtarët e këtij komuniteti nuk duan komunikim me komunitetet e tjera fetare në Kosovë.

Këto veprime, thekson Hasani, ndikojnë në tolerancën fetare.

Sot kemi një situatë në të cilën ushqehen dallimet, divergjencat midis përkatësive të ndryshme konfesionale dhe nuk mund të themi se përfundimisht Kosova mund të quhet oazë e qetësisë në kuptimin e asaj që ekziston tolerance ndërkonfesionale e pa diskutuar”, tha Hasani.

Zoti Rexhepi nga Bashkësia Islame e Kosovës, tregon se komunikimin me përfaqësuesit e lartë të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë, e kanë vështirësuar zhvillimet e fundit të ndërlidhura me Kosovën.

“Përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, kanë bërë që Kisha Ortodokse serbe të hezitojë në komunikim, e kam fjalën në komunikimin e liderëve të lartë. Kështu që pasi të kalojë edhe kjo çështje, përsëri besoj se do të ketë komunikim. Edhe ata janë të vetëdijshëm që pa vazhduar misionin tonë paqësor, zgjidhje nuk kemi”, tha Rexhepi.

Radio Evropa e Lirë, ka provuar të kontaktojë me Igumenin Sava Janjiq nga Kisha Ortodokse serbe në Kosovë, por komunikimi me të ka qenë i pamundur.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, thonë se toleranca ndërfetare ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër vlerat më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG